Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2017

Të jesh spektator dhe të torturosh vetveten me debatet, nëpër studio të ndryshme televizive, në mes të kandidatëve potencial për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale 2017 që do të mbahen në këtë fundjavë tetori, është një maltretim psikik,një formë e fyerjes së inteligjencës personale dhe profesionale që ma në fund pas 18 vite duhet me e ndryshuar me forcën e argumenteve realiste me vota.

Opinion

17/10/2017 13:04

Duke e marr në konsideratë realitetin e jetës në Kosovë të cilin e ka krijuar mu kjo klasë politike, e cila prapë po tenton që me premtime diametralisht të kundërta me mundësit reale të shoqërisë të mashtroi elektoratin.

Po përcjelli këto ditë një fushatë të shfrenuar partiake aspak të bazuar në gjendjen reale të cilën banorët e Prishtinës janë duke e vërejtur,përjetuar,duke e prekur,janë duke e ndie ma së shumti në lëkurën e vetë dhe janë shumë të brengosur me atë se çka po iu premtohet atyre dhe gjeneratave të ardhshme. Po iu ofrohet apo  servohet  një jetë konfuze, e pa sigurt, e pa perspektivë,me projekte jo realiste të cilat në të shumtën e rasteve as që janë kompetenca të  Komunës .

Do të fokusohem në fushatën zgjedhore që po zhvillohet në kryeqytet pasi konsideroi se ajo është barometër i të gjitha zhvillimeve nëpër Komunat tjera në Kosovë. Pa kurrfarë dileme, funksionimi i një vendbanimi është i ndërlidhur direkt me posedimin apo përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane. Me zbatimin e tyre korrekt dhe profesional edhe situata e mirëqenies së popullatës do të ishte ma e mirë, Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur këto vite në Kosovë.

Një e arritur e qeverisjes aktuale në Prishtinë është fillimi i zhdukjes së frikës ndaj pushtetit, që ndaj shqiptarëve është kultivuar me shekuj,nga sunduesit e huaj e besa edhe nga ata vendor pas vitit 1999. Transparenca dhe llogaridhënia kanë filluar të japin rezultatet e para fillestare pozitive,zyrtarët shtetëror dhe Kryetari i kryeqytetit po trajtohen si personalitete të thjeshtë e jo si ”njerëz të fort të hyqymetit”.

Të bërit kryeqytet ka filluar të jetësohet edhe se me vështirës të mëdha pasi detyrimi me iu përmbajtur disa rregullave (ligjeve) që i imponon jeta e përbashkët urbane për disa është shumë e vështirë. Janë këto të arriturat fillestare,që para disa viti as që mundeshe ti imagjinoje, natyrisht ndaj këtyre ndryshmeve pozitive kishte,ka dhe do të ketë kundërshtime  të ndryshme. Forma klasike e sabotimit dhe bllokimit të proceseve të ndryshme është tërësisht e pa pranueshme, pasi humbësit ma të mëdhenj do të jenë vet qytetarët e kryeqytet. Kjo ka ndodhur këto vite sipas zyrtarëve komunal, shpresoj se ma në fund do të kuptojnë se aty ata duhet të jenë si shërbyes të popull e jo me i trajtuar kundërshtarët politik si armiq politik.

Duke u nisur nga gjendja reale-faktike e cila vërehet-shihet në zhvillimet urbane në kryeqytet,pa u thirrur apo bazuar në ato “teoritë konspirative”,thashë thënat, dyshimet,supozimet të cilat nuk munden me u dokumentuar me fakte reale,atëherë e ndiej vetën të lirë të jap qëndrimet e mija profesionale lidhur me situatën reale urbane në kryeqytet. Ashtu si është,si e kanë keqpërdorur gati të gjithë që e kanë pasur mundësinë në pushtetin komunal, si dhe bashkëpunëtorët e shumtë nga të gjitha partitë politike pa përjashtim. Koha tregoi se për zhvatje,keqpërdorime të shumta,ndërtime pa leje,mos respektim të rregullave shoqërore dhe ligjore të gjithë bashkohen,janë një.

Pas zgjedhjeve të fundit po vërehet një frymë e re, të cilën për me e përjetësuar tërësisht duhet kohë e gjatë dhe punë e mundimshme permanente, pasi ndryshimi i mendësisë së të jetuarit në një mjedis urban kërkon edukim të ri, në një  mjedis të ri në kryeqytet, pasi mënyra tradicionale e jetës në fshat tërësisht ndryshon.

Në Prishtinë pas luftës ndodhi vërshimi i pa kontrolluar i popullsisë nga të  gjitha anët e Kosovës dhe diasporës,lehtë të manipulueshëm  me premtime zgjedhore tërësisht të pa realizueshme,pasi nuk kanë bazë të qëndrueshme pik së  pari në dokumentet hapësinore dhe urbanë realiste,që i mungojnë kryeqytetit. Në thelb ma shumë iu ngjasojnë “fontanave të dëshirave” se sa projekteve të analizuara dhe të shkoqitura nga planet rregulluese të hollësishme ,që duhej ti kishte Prishtina.

Ky nivel i votuesve është lehtë të mashtrohet pasi të dy palët nuk besojnë se duhet respektuar dokumente hapësinore dhe urbane, të cilat në të kaluarën janë keqpërdorur me të madhe nga ana e pushtetarëve,dhe se do të vazhdohet të punohet me të vjetrën. Kjo lehtë vërehet nga sjelljet arrogante dhe premtimet jo realiste elektorale të disa pretendentëve për kryebashkiak.

Sa të pa informuar janë disa kandidat për kryetar të Prishtinës dhe këshilltarët e tyre,as që e dinë se për çka duhet punuar Hartën Zonale të Komunës, e disa deklarojnë publikisht se duhet pasur disa Harta zonale !  Ato sipas tyre është dashur punuar në vitin 2014 pa e ditur se ajo është e pa mundur, pasi Udhëzimi Administrativë për përmbajtjen e sajë Ministra e ka bërë publike në muajin e dhjetor të vitit 2015, pas gati 3 vite.

Është interesant se si  opozita në asamblenë komunale e ka pasur adut kryesor politik mos përpilimin e Hartës Zonale duke mos i ditur procedurat teknike. Me vetëdije apo pa atë, ata ishin pjesëmarrës aktiv në bllokimin e vazhdimësisë të aprovimit të planeve rregulluese të parapara edhe me ligjin aktual,të përgatitura për miratim për disa zona në kryeqytet. Nuk duhet apstrahuar faktin se Ministria edhe me ligj ka krijuar një bllokadë totale të procesit të planifikimit hapësinorë në tërë territorin e Kosovës, me ligj ka lejuar vazhdimësinë  e ndërtimeve jo ligjore që kishin filluar që nga viti 1999.

Ti referohemi Hartës Zonale, me anën e të cilës duhet të zgjidhen të gjitha problemet urbane është vetëm një mashtrim elektoral i votuesve,pasi përpilimi teknik i ati dokumenti hapësinor kërkon shumë kohe dhe ekspertizë e cila ka munguar në Prishtinë këto 18 vite. Problem edhe ma i madh do të jetë zbatimi i saj pasi në Prishtinë ka pasur degradime të pa rehabilitushme. Duhet ndryshuar mendësinë urbane së pari të politik-bërësve tanë e pastaj popullit, proces i cili kërkon kohë me dekada me ndryshuar filozofinë primitive jetësore të këtij mileti.

Në këto vite ne i kemi treguar botës së civilizuar se nuk dimë të urbanizojmë edhe zona të lira të qytetit,duke bërë keqpërdorime dhe abuzime të rënda, si ishte lagjja “Mati 1”, kurse Ministria (MMPH) tek pas 6 vite padit Komunën e Prishtinës për lejet ndërtimore,në kohën e fushatës zgjedhore,a thua për çka ekziston kjo Ministri . Kjo qasje e shtetit ndaj problematikës urbane është shqetësuese dhe në njëjtën kohë dëshpëruese se ku e kanë katandisur popullin e vetë këta njerëz që me pa përgjegjësi ekstreme kanë vepruar këto vite në shekullin e ri.

Ndërtimet pa leje nuk janë kompetencë ekskluzive e komunave ato duhet trajtuar sipas ligjit të cilin e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës,çdo premtim i kandidatëve për kryetar të komunës si për taksën e legalizimit dhe kriteret tjera për legalizimin e objekteve pa leje ndërtimi, është mashtrim klasik i votuesve dhe si i tillë duhet sanksionuar me votë. Gjithashtu premtimet elektorale se do të rehabilitohen disa lagje apo do të ndërtohen unazat e kryeqytetit, janë jo realiste,atë nuk kanë arritur ti realizojnë edhe shoqëritë shumë ma të pasura,ato intervenime kushtojnë shumë,do të mbesin ashtu si relikte të një kohe kur nuk ka funksionuar ligji, për të iu treguar pasardhësve tonë se si është jetuar në Prishtinë në fillim të shekullit 21.

Autori është arkitekt i pavarur dhe ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

[email protected]