Prishtina çon në bregdet 25 fëmijë, jetimë e raste sociale

Fëmijët jetimë sivjet kanë një arsye më shumë për t’iu gëzuar kësaj vere. Temperaturat e larta nuk do t’i presin ata brenda mureve të strehimoreve të tyre. Të njëjtin fat do ta kenë edhe disa fëmijë që jetojnë në familje me kushte të rënda sociale.

Lajme

12/08/2014 17:43

Komuna e Prishtinës, në kuadër të organizimit të garave të kuizit të diturisë, kishte paraparë që nxënësit e suksesshëm nga kjo garë t’i dërgonte në pushim veror. Komuna  vendosi që pjesë e këtij grupi të jenë edhe fëmijët që jetojnë në strehimore, si dhe disa fëmijë që jetojnë në kushte të rënda sociale, me qëllim të zhvillimit dhe ngritjes së ndjenjës së solidaritetit që nga fëmijëria.

“Gjithsej 25 fëmijë do të kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar, 16 prej tyre janë përzgjedhur nga strehimoret dhe familjet me gjendje të rënduar sociale, ndërsa pjesa tjetër janë nxënës të cikleve të ulëta të arsimit, që ishin treguar të suksesshëm në garat të ndryshme të diturisë që u organizuan nga drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar për portalin almakos, Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky është grupi i dytë i nxënësve që komuna e Prishtinës i shpërblen me pushime në bregdet pas suksesit të treguar në garat e diturisë.