Prishtina anulon tenderin 200 mijë euro për blerjen e veturave për QMF-të

Komuna e Prishtinës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizimin me autovetura për nevojat e Shëndetësisë Primare. Sipas njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, procedura kishte të bënte me blerjen e autoveturave për nevojat e sektorit të kujdesit shëndetësor parësor në territorin e Komunës së Prishtinës. Kontrata ishte publikuar më 24 qershor përmes procedurës…

Lajme

15/07/2026 21:18

Komuna e Prishtinës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizimin me autovetura për nevojat e Shëndetësisë Primare.

Sipas njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, procedura kishte të bënte me blerjen e autoveturave për nevojat e sektorit të kujdesit shëndetësor parësor në territorin e Komunës së Prishtinës.

Kontrata ishte publikuar më 24 qershor përmes procedurës së hapur, e paraparë të kishte vlerë prej 200 mijë eurosh.

Vendimi për anulim është marrë më 14 korrik.

Në njoftim thuhet se ndërprerja e aktivitetit është bërë para hapjes së tenderëve për shkak të arsyeve objektive, ndërsa në procedurë nuk ishte pranuar asnjë ofertë.

“Pas rishikimit të aktivitetit të prokurimit në përputhje me rekomandimet e pranuara nga Departamenti i Monitorimit i KRPP-së, Sektori i Prokurimit ka konstatuar se gjatë hartimit të dosjes së tenderit ka ndodhur një gabim teknik. Konkretisht, aktiviteti i prokurimit me objekt Furnizimi (blerja) e autoveturave për nevojat e Shëndetësisë Primare është publikuar si Kontratë Kornizë, ndonëse, sipas natyrës dhe nevojës së Autoritetit Kontraktues, është dashur të publikohej si kontratë e zakonshme. Ky klasifikim i gabuar përbën një lëshim teknik në dokumentacionin e tenderit. Për të siguruar zbatimin e drejtë të procedurave të prokurimit publik, trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë dhe përputhshmërinë e dokumentacionit të tenderit me nevojat reale të Autoritetit Kontraktues, është e domosdoshme anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit. Pas anulimit, Autoriteti Kontraktues do të bëjë korrigjimin e lëshimit teknik dhe do të rishpallë të njëjtin aktivitet të prokurimit në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rekomandimet e Departamentit të Monitorimit të KRPP-së” thuhet në anulimin e aktivitetit.