Prezantohen fotografi e video nga planifikimi e realizimi i sulmit të Banjskës- prokurori Abazi jep detaje në seancë

Edhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tre akuzuarit në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u deklaruan të pafajshëm. Në gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar seanca në lidhje me rastin e sulmit në Banjskë, ku tret ë akuzuarit të cilët gjenden në Kosovë…

Lajme

17/04/2025 10:40

Edhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tre akuzuarit në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u deklaruan të pafajshëm.

Në gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar seanca në lidhje me rastin e sulmit në Banjskë, ku tret ë akuzuarit të cilët gjenden në Kosovë tashmë janë deklaruar në lidhej me akuzat me të cilat ngarkohen.

Gjyqtari i rastit, Hoti ka ftuar palët për të prezantuar provat e mbledhura në këtë rast, nisur me prokurorin e rastit Naim Abazi.

Abazi deklaroi se ky rast ka sfiduar rendin kushtetues e shoqëror, bashkë me sigurinë.

Në cilësinë e dëshmisë, prokurori Abazi ka prezantuar video që shfaqin takime të nivelit të lartë në Serbi, ku bëhet thirrje për armatim, ushtrime ushtarake dhe destabilizim në Republikën e Kosovës.

“Përpjekjet për ndërtimin e Republikës, u vu në rrezik më shtator 2023, ku një grup kreu sulmet më të rënda terroriste në Komunën e Zveçanit. Ky sulm kishte një qëllim të qartë, shkëputjen e komunave të Republikës së Kosovës. Pasojat ishin vrasja e policit Afrim Bunjaku, plagosja e zyrtarëve policor, Alban, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu. Prokuroria Speciale do të paraqes prova dhe fakte, prokuroria do të prezantojë video dhe incizime ku vërtetohen takimet e para të grupit për kryerjen e veprave penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit.Siç e dini, në këtë aktakuzë përfshihen edhe 41 të dyshuar të tjerë, por siç e shihni, gjykimin po vijon me vetëm tre prej tyre” u shpreh Abazi.

Abazi me këtë rast ka prezantuar pamje nga hyrja e kamionëve dhe automjeteve që kanë monitoruar rrugët, para se të fillonte sulmi.

Sipas prokurorit “videot flasin qartë se si grupi ishte përkujdesur në detaje rreth vendosjes dhe hyrjes se si do të operonin në këtë zonë”.

Me këtë rast në gjykatë janë prezantuar pamje të shumta nga rasti i Banjskës, ku ndër të tjerash shihen edhe armët, automjetet e personat e kyçur në rast.

Nga sulmi terrorist në Banjskë u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën zyrtarët policorë Alban, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu. Pas sulmit, ishte sekuestruar një sasi e madhe e armëve dhe municionit./Lajmi.net/