Pret certifikimin e zgjedhjeve dhe përgjigjet e Kushtetueses për Presidenten

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur se në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit është arritur standardi më i lartë perëndimor, evropian.

Lajme

25/06/2014 14:38

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, kryeministri edhe njëherë ka përgëzuar të gjitha institucionet që janë duke u marrë tash me procesin e menaxhimit pas zgjedhor, KQZ-në dhe gjithë mekanizmat tjerë, për punën që janë duke e bërë në afat rekord, për të përmbyllur edhe këtë fazë të procesit elektoral, pas organizimit të zgjedhjeve, sic ka thënë ai, më të mira të pas luftës në Kosovë, të zgjedhjeve fer, transparente, të lira dhe demokratike.

“Tash natyrisht presim certifikimit e rezultatit zgjedhor dhe përgjigjet e Gjykatës Kushtetuese në pyetjet e parashtruara nga presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, dhe pastaj partia fituese dhe koalicioni do të fillojë konkretisht të punoj për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaci.

Kryeministri Thaçi po ashtu përgëzoi edhe njëherë Republikën e Shqipërisë, kryeministrin Edi Rama, dhe gjithë spektrin politik dhe shoqëror të Shqipërisë, e cila nga dje është kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Thaçi tha se padyshim që ky është një lajm shumë i mirë, lajmi më i mirë i mundshëm për Shqipërinë, për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

“Gjithashtu, më lejoni të ritheksoj se edhe Kosova, si një shtet i ri, i mundësive të mëdha, i njohur nga 106 shtete, mbetet e përkushtuar që të punoj drejt përmbushjes së standardeve euroatlantike, që të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe Bashkim Evropian”.

“Kjo është aspirata jonë, ky është qëllimi ynë, ky është vizioni ynë, dhe kjo është e drejta jonë. Prandaj, unë dua të besoj se marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE nga Shqipëria, do të jetë edhe një inkurajim i ri dhe shtysë edhe për aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës”.