Presidentja u tregua si një gazetare!

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se koalicioni i LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes është i natyrshëm, pavarësisht se kritikat e tij kanë qenë jo të vogla si për LDK-në ashtu edhe për AAK-në.

Lajme

02/07/2014 12:22

Edhe pse Vetëvendosje gjatë gjithë kohës ka akuzuar LDK-në për korrupsion në komunën e Prishtinës, madje ka dërguar dhjetëra lëndë në prokurori, derisa AAK-në, Kurti e pati quajtur edhe parti të haraçit, është duke biseduar pikërisht me këto parti që të hyjë në qeveri, edhe pse thotë se krejt ato që i kanë thënë për to qëndrojnë ende, pasi nuk janë duke bërë negociata pse e duan njëri- tjetrin, por për të mirën e Kosovës.

“Ne nuk jemi në këto bisedime për shkak se e duam njëri tjetrin, ne jemi në këto bisedime sepse bisedimet janë të nevojshme për Kosovën. Pra, nuk jemi këtu që të bëjmë diçka tjetër përveç se ta shpëtojmë shtetin nga pushteti. Natyrisht se ne kemi bërë shumë kritika dhe akuza dhe ato qëndrojnë por edhe këto partitë tjera kanë thënë gjëra të rënda për neve, por unë këtu them që ekziston një parti që e ka kapur shtetin dhe kjo parti nuk është as LDK-ja, as AAK-ja as Nisma, por është PDK-ja”, ka thënë Kurti.

“Ajo që mund të them tash për tash është se jemi shumë afër në qëndrime e qëllime, por dallojmë ca me shumë sa i përket shprehjeve dhe formulimeve të atyre qëndrimeve e atyre qëllimeve”, ka thënë Kurti në një intervistë për KosovaPress.

Kurti ka komentuar edhe letrën që presidentja i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenet 95 dhe 84, se kujt i takon mandatari për formimin e Qeverisë, ku Gjykata dha dje vendimin.

Sipas tij, presidentja në këtë rast u tregua si një gazetare që ia dërgon pyetjet për intervistë kryetarit të Gjykatës kushtetuese, ku nuk kishte lënë asgjë pa e pyetur, ku mungonte vetëm një, që ta pyeste se kush është ajo në të vërtetë.

“Presidentja e kishte bërë një pyetësor të gjatë aty, aq të gjatë thuajse është një gazetare e cila po ia dërgon paraprakisht pyetjet e intervistës kreut të Gjykatës Kushtetuese. Nëse dikush e lexon ato pyetje nuk mund ta besoj se ato janë të një presidenteje të një shteti. Në anën tjetër aq shumë dilema kishte ngritur presidentja sa që mungonte vetëm një pyetje e fundit, a thua vallë kush jam unë. Pra nëse ke gjithë këto dilema, si mund të jesh e sigurt se mund të jesh presidente. Mendoj që ato dilema ishin çështje të redundancës e të autologjisë, e jo me të vërtetë dyshime mbi frymën apo gërmen e kushtetutës”, ka thënë ndër të tjera Kurti.