Presidentja u pa sot në Mercedes G-Class që rezulton të mos jetë e Presidencës, por a i takon veturave të konfiskuara nga Radojiçiq?

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vizituar sot komunën e Vitisë. Me të arritur në Viti, Vjosa Osmani është parë duke zbritur nga një veturë super luksoze, e tipit Mercedes G-Class. Madje si fillim u dyshua se vetura në fjalë hy në mesin e veturave të ish-kryekriminelit Milan Radojiçiq, të cilat u patën konfiskuar pas…

Lajme

15/08/2024 14:09

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vizituar sot komunën e Vitisë.

Me të arritur në Viti, Vjosa Osmani është parë duke zbritur nga një veturë super luksoze, e tipit Mercedes G-Class.

Madje si fillim u dyshua se vetura në fjalë hy në mesin e veturave të ish-kryekriminelit Milan Radojiçiq, të cilat u patën konfiskuar pas rastit të Banjskës.

Por del të mos jetë ashtu.

Vetura në të cilën u pa sot presidentja Osmani siç mëson lajmi.net ishte vetëm përkohësisht në kuadër të Presidencës së Kosovës, pasi në fakt ajo i takon një prej institucioneve kryesore të sigurisë në vend.

E se veturë të ngjashme të tipit G-Class nuk është shpërndarë në Presidencën e Kosovës e kanë konfirmuar për lajmi.net edhe nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

“Lidhur me pyetjen e Juaj mund të Ju njoftoj se asnjë veturë në administrim të AAPSK-së, e sekuestruar dhe e konfiskuar, nuk është në përdorim të Presidencës”, u tha në përgjigje.

E problem me veturë të Vjosa Osmanit pati në fillim të këtij muaji.

Zyra e Presidencës së Kosovës më 25 korrik ka hapur tender për furnizim dhe montim të motorit për automjetin Toyota Landcruiser. Veturë kjo që përdoret nga Presidentja Vjosa Osmani.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 28 mijë e 500 euro. “Furnizimi dhe montimi i motorit për automjetin Toyota Landcruiser sasia 1. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 05.08.2024 .Vlera e parashikuar e kontratës: 28,500.00 euro”, thuhet në dokument.

E siç duket problemi i ngjashëm me vetura ka bërë që Presidenca ta zëvendësojë atë.

Osmani e cila dikur fliste për varfërinë e madhe në Kosovë, e luksin e drejtuesve të shtetit sot është parë duke zbritur nga një prej veturave më të shtrenjta, madje pa kurrfarë sikleti.

Duhet theksuar se sa i përket veturave të sekuestruara dhe të konfiskuara nga Radojiciq, ato tashmë janë shpërndarë në institucionet e vendit, shumë prej tyre në Policinë e Kosovës.

Milan Radojiciq bashkë me grupin e tij janë të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, ku i vdekur mbeti zyrtari policor Afrim Bunjaku.

Radojiciq njihet si kryekrimineli serb që ndër vite funksionoi e kreu lloj-lloj krimesh ekonomike e të sigurisë në Kosovë. Pas sulmit të Banjskës, nga grupi Radojiçiq janë konfiskuar armë të shumta, por edhe 34 vetura.

Në kuadër të pasurisë së konfiskuar të tij, vlera thuhet të ketë arritur në 3.5 milionë euro. Gati dy milionë euro është vlerësuar vetëm vila e tij, e ndërtuar buzë liqenit të Ujmanit. Por jo vetëm kaq.

Pasuria e të kërkuarit nga organet e drejtësisë në Kosovë është vlerësuar 3 milionë e 430 mijë e 748.50 euro.

Prej tyre 3 milionë e 103 mijë e 178.5 euro pasuri të paluajtshme, ku përveç vilës bën pjesë edhe banesa penthouse në vlerë 644 mijë e 400 euro, restoranti në vlerë 400 mijë eurosh, zyra në vlerë prej 82 mijë e 65 eurosh si dhe një banesë në vlerë 69 mijë e 220 euro.

Krahas tyre në duar të shtetit janë edhe 34 automjete të konfiskuara e 8 të tjera të sekuestruara në vlerë prej 327 mijë e 570 eurosh.

Të gjitha pronat e Radoiçiqit monitorohen e sigurohen përmes kamerave të sigurisë e nga Policia e Kosovës.

Sipas Agjencisë, kostoja mujore e administrimit dhe sigurimit të pronave është 420 euro.

E këto vetura të konfiskuara janë shpërndarë në kuadër të autoriteteve të Kosovës. Disa prej tyre në Polici e disa në Ministri të Punëve të Brendshme.

Nga Radojiciq dhe grupi i tij janë konfiskuar dy vetura të tipit të njëjtë, e mbi të cilat kishte mbishkrime KFOR.

Madje u tha se kjo veturë është përdorur dhe futur në Kosovë duke e kamufluar me llogo të KFOR-it dhe me dokumentacion të Radojiciq.

Veturat që ishin përdorur nga grupi terrorist i Milan Radoiçiqit, në sulmin e shtatorit të kaluar, tashmë janë në përdorim nga institucionet tona. Gjithçka që kishin pasur me vete, terroristët pjesë e grupit që udhëhiqej nga Milan Radoiçiqi kishin lënë prapa derisa po iknin nga Kosova, më 24 shtator të vitit të kaluar./Lajmi.net/

Përveç arsenalit të jashtëzakonshëm të armëve e municionit, prapa mbetën edhe 34 vetura të përdorur nga ta, duke përfshirë edhe vetura të blinduara.Të njëjtat, nuk do të mbeten pa u shfrytëzuar.Në fakt, tashmë ato janë në posedim të Policisë së Kosovës, dhe i janë ndarë njësive të ndryshme.

Këtë e kanë konfirmuar edhe vet ky institucion.

Policia e Kosovës ne te gjitha rastet dëshmitë/provat e konfiskuara përfshirë automjetet i trajton sipas kompetencës ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Pas përfundimit të proceduarave të parapara ligjore, në baze të vendimit të gjykatës kompetente dhe Agjencisë për administrimin e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara, automjetet iu dedikohen institucioneve shtetërore sipas nevojës, përfshirë edhe Policisë së Kosovës./Lajmi.net/