Presidentja po tregon indiferencë ndaj problemeve politike

Besnik Tahiri thotë se Presidentja nuk është duke e kuptuar rolin e saj kushtetues dhe detyrat e saj politike përballë obligimeve që i ka. Tahiri thotë se është për keqardhje qasja plotësisht formale dhe indiferente e Jahjagës ndaj problemeve politike.

Lajme

11/02/2014 18:10

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e pakënaqur me përgjigjen që ka marrë nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndaj letrës në të cilën Ramush Haradinaj i kërkonte asaj t’i përshpejtonte proceset që çojnë në zgjedhje parlamentare në Kosovë.

Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Besnik Tahiri, në një postim të llogarisë së tij në Facebook, deklaron se Presidentja nuk është duke e kuptuar rolin e saj kushtetues dhe detyrat e saj politike përballë obligimeve që i ka.

Tahiri thotë se është për keqardhje qasja plotësisht formale dhe indiferente e Presidentes Jahjaga ndaj problemeve politike që ka vendi.

“Dëshiroj të sqaroj se letra e Kryetarit Haradinaj drejtuar Presidentës ka pasur për qëllim të nxisë veprim politik, e jo interpretim kushtetues nga ana e Presidentes, për faktin se Kuvendi i Kosovës është jofuksional për të mbikëqyrur veprimet e Qeverisë e cila realisht nuk e ka shumicën në Kuvend. Mbi këtë bazë po cenohet rëndë funksioni Kushtetues i Kuvendit si mekanizëm mbikëqyrës i ekzekutivit.”

“Nga kjo përgjigje e Presidentes, shihet qartë se e njëjta nuk është duke e kuptuar rolin e saj kushtetues dhe detyrat e saj politike përballë obligimeve që i ka ndaj temave me rëndësi për demokracinë sikurse janë zgjedhjet!”

“Është për keqardhje qasja plotësisht formale dhe indiferente ndaj problemeve politike që e kanë kapluar vendin!”, ka shkruar Besnik Tahiri.