Presidentja nuk ka afat ligjor për dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit!

Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar në media ku thuhet se presidentes Atifete Jahjaga i skadon sot afati për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas Presidencës, në gusht të vitit 2011 është nxjerrë një rregullore për Procedurën që duhet të ndiqet nga administrata, respektivisht departamenti ligjor, lidhur me emërimin/riemërimin e kandidatëve për Prokuror/ë.

Lajme

11/03/2015 15:52

Në reagim e Presidencës thuhet se më këtë rregullore përcaktohen afatet për kryerjen e punëve nga administrata e Zyrës së Presidentit respektivisht nga Departamenti Ligjor, si mënyrë për të rritur efektivitetin e administratës dhe në asnjë mënyrë nuk përcaktohen afate ligjore për Presidenten e vendit.

“Me këtë rregullore rregullohen procedurat e pranimit, shqyrtimit dhe të ruajtjes së propozimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin/riemërimin e kandidatëve për Prokuror me rastin e dorëzimit në Zyrën e Presidentit, për më tepër rregullon pranimin e dosjeve të kandidatëve për prokurorë, kush është kompetent për këtë, shqyrtimi i propozimeve për emërim/riemërim, betimin, komunikimin me publikun, përpunimin e të dhënave personale, sigurinë e të dhënave dhe konfidencialitetin”.

Rregullorja përcaktohen afatet për kryerjen e punëve nga administrata e Zyrës së Presidentit respektivisht nga Departamenti Ligjor, si mënyrë për të rritur efektivitetin e administratës dhe në asnjë mënyrë nuk përcaktohen afate ligjore për Presidenten e vendit.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës thekson se rregullorja e brendshme administrative nuk mundet të zëvendësojë as Kushtetutën dhe as ligjet në fuqi.

“Afatet ligjore për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit janë të përcaktuara me ligj dhe ato nuk mund të ndryshohen me asnjë rregullore tjetër të brendshme, që është hartuar për të rritur efiçencën dhe efektivitetin në punë të punonjësve administrativë dhe në veçanti të Zyrës Ligjore në Zyrën e Presidentes”.

“Çështja e emërimit ose refuzimit për emërim të kandidatëve për prokuror është i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të dyja këto akte janë mbi rregulloret e brendshme të administratës”, thuhet në reagimin e Presidencës.