Presidentja nesër takon liderët politikë për Tribunalin dhe EULEX-in
Këshilltari i presidentes Atifete Jahjaga, Ramush Tahiri thotë se Gjykata Speciale për UÇK-në nuk mund të ndalet. Ai njofton se presidentja e vendit nesër do të ftojë spektrin politik për të diskutuar rreth votimit në Kuvendin e Kosovës.
Lajme
E plotësuar – 00:19
Burimet e lajmi.net brenda Presidencës konfirmojnë se në takimin e ftuar nga Jahjaga pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryetarët e partive politike, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Behgjet Pacolli, dhe Mahir Yagcilar.
______
23:26
Sipas Ramush Tahirit, Gjykata Speciale veç më është votuar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ku anëtarët kanë votuar pro raportit të Dick Marty, për trafikimin e supozuar me organe njerëzore.
Duke folur në ‘Zonën e Debatit’ në KlanKosova, Tahiri ka thënë se i mbetet spektrit politik vendor të vendosë nëse Gjykata Speciale do të votohet bashkë me dokumentin e EULEX-it ose në mënyrë të veçantë.
Ai paralajmëroi se liderët do të takohen edhe me përfaqësues ndërkombëtare, para se dokumenti të procedohet në Kuvend.
Sipas Tahirit, nëse nuk merr aprovimin e Kuvendit, që do të thotë në përputhje me ligjet e Kosovës, atëherë ajo gjykatë do të krijohet nga Këshilli i Sigurimit me rezolutën 1244.
Në këtë debat televiziv mori pjesë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Ai tha se qeveria ka qenë pasive në raport me informacionet lidhur me themelimin e një gjykate speciale për hetimin e krimeve të pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gashi në ‘Zona e Debatit’ kritikoi edhe sistemin e drejtësisë në vend, i cili nuk është marrë, siç tha, me çështje të ndjeshme si ato në raportin e Dick Martit.
Këshilltari tjetër i presidentes, tha për TV 21 se pjesëmarrjen deri tash e ka konfirmuar vetëm lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.