Presidentja kërkon të solidarizohemi me të prekurit nga vërshimet

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka biseduar me kryetarët e komunave më të prekura nga vërshimet.

Lajme

06/01/2016 21:00

Jahjaga gjithashtu ka folur edhe me komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, i cili e ka siguruar të parën e shtetit se FSK-ja është e përgatitur dhe e gatshme të ndërhyjë në rast të rrezikut nga përmbytjet, raporton lajmi.net.

“Për shkak të motit të ligë dhe të reshurave të pandërprera ditëve të fundit, shumë komuna të Kosovës janë prekur nga vërshimet të cilat po vështirësojnë qarkullimin dhe po dëmtojnë pronat e qytetarëve. Sonte bisedova me znj. Mimoza Kusari-Lila, z. Sokol Bashota, z. Imri Ahmeti, z. Ragip Begaj, z. Sali Asllanaj dhe z. Naim Ismajli, kryetarët e komunave te Gjakovës, Klinës, Lipjanit, Malishevës, Suharekës dhe Shtimes, për t’u njoftuar me gjendjen në terren, dëmet e shkaktuara dhe aktivitetet e ndërmarra deri më tani si dhe për të ofruar ndihmën e përkrahjen e institucioneve qendrore nivelit komunal në adresimin e nevojave për t’ju dalë në ndihmë banorëve të vendbanimeve të prekura nga vërshimet. Gjithashtu, komandanti i FSK-së Rrahman Rama më siguroi për gatishmërinë dhe përgatitjet që po i bënë FSK-ja për të ndërhyrë në rast të rrezikut nga përmbytjet. Shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë qytetarët të solidarizohen me familjet e prekura dhe të ofrojnë gjithë përkrahjen në strehimin e të prekurve nga vërshimet”, thotë Jahjaga./lajmi.net