Presidentja Davkova: Populli maqedonas është i turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar ndaj thirrjeve fashiste ndaj shqiptarëve nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë që u mbajt në Kumanovë. Davkoka ka thënë se populli maqedonas ndjehet i turpëruar për shkak të tifozëve të papërgjegjshëm që “qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë”. “Për shkak…

Lajme
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar ndaj thirrjeve fashiste ndaj shqiptarëve nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë që u mbajt në Kumanovë.
Davkoka ka thënë se populli maqedonas ndjehet i turpëruar për shkak të tifozëve të papërgjegjshëm që “qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë”.
“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë — por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo në Facebook.
Siljanovska Davkova ka thënë se Maqedonia nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh”.
Ajo ka thënë se shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohorasin. Sipas saj, Maqedonia e Veriut ka nevojë për “një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”.
“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë disa nga parullat e kënduara nga tifozët vendas, thirrje të lidhura me retorikën naziste të shfarosjes. Këto thirrje u bënë në praninë e kryeministrit maqedonas e zyrtarëve të lartë shtetërorë.