Presidenti Thaçi përshëndet marrëveshjen për emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë

12:00 | 17 Qershor 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se integrimi euro-atlantik për Maqedoninë është i mirë për Kosovën.

“Në emër të Kosovës, unë ngrohtësisht e përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes së emrit. Kontribut i madh i paqes në rajonin tonë nga Tsipras e Zaev dhe ministrat e Jashtëm Kotzias e Dimitrov dhe i dërguari i OKB-së, Nimetz. Integrimi euro-atlantik për Maqedoninë është i mirë për Kosovën!”, ka shkruar Thaçi.

Kujtojmë se pas 27 viteve arrihet marrëveshja ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit.