Presidenti Thaçi dorëzon kërkesën për ndriçimin e tentim – atentatit ndaj presidentit Rugova
Në një konferencë për media si president i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit që të shtoi përpjekjet dhe të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme juridike, për zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës dhe të autorëve të tyre, në mënyrë që asnjë krim të mos mbetet i pazbuluar e aq më pak të mbetet tabu.

Lajme
(I plotësuar) – Presidenti Thaçi në konferencën për Media ka thënë se edhe zyrtarisht ia ka dorëzuar kryeprokurorit kërkesën për ndriçimin e atentatit ndaj ish presidentit, Ibrahim Rugova.
Ai ka kërkuar nga kryeprokurori që në bazë të kompetencave të tij, të ndriçohet sa më parë rasti përpjekja për atentat kundër ish-Presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005.
“Çdo familje, çdo qytetar i shtetit tonë, ka nevojë dhe ka të drejtë që të dijë të vërtetën për këto raste si dhe për të gjitha rastet tjera ende të pazgjidhura”, ka shtuar ai, transmeton lajmi.net.
Sipas Thaçit, është e domosdoshme që institucionet kompetente të ndërmarrin masat e nevojshme që drejtësia për viktimat dhe familjarët e tyre të vihet në vend dhe kryesit e akteve kriminale të sillen para drejtësisë.
Thaçi dorëzon kërkesë zyrtare për ndriçimin e të gjitha masakrave në Kosovë
“Rastet e njohura të krimeve të rënda siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë, apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, ka thënë Thaçi në konferencën për media.
Ai ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit që të ndërmerren të gjitha masat e parapara me ligj për të gjitha rastet e krimeve të kryera gjatë luftës. “Qytetarët e Republikës së Kosovës, me padurim presin zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera në Kosovë dhe zbardhjen e të vërtetës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se shteti i Kosovës është duke u përgatitur për të ndjekur penalisht, në nivel ndërkombëtar, veprat e proporcioneve gjenocidale të regjimit të Milosheviqit.
“Besoj fuqishëm se drejtësia e vënë në vend në këto raste nuk do të thotë vetëm dënim për kryesit e veprave por do të sillte edhe ndjenjën e drejtësisë tek familjet e viktimave si dhe do të ndihmonte edhe rindërtimin e marrëdhënieve në mes në mes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa asnjë dallim”, ka theksuar ai, transmeton lajmi.net.
Presidenti Thaçi ka vlerësuar se Institucionet e Kosovës do të ofrojnë mbështetje institucionale e buxhetore, përkrahje për shtimin e kapaciteteve si dhe çdo lloj përkrahjeje tjetër të nevojshme për të lehtësuar hapat që duhet ndërmarrë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe institucionet tjera relevante, për të hetuar dhe për të mbyllur këto dhe rastet tjera të krimeve të luftës.
“Gjithashtu, ju ftoj që të bashkëpunoni me individë dhe me institucione në Kosovë që kanë grumbulluar të dhëna për krimet e kryera në Kosovës, por edhe me institucione dhe organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë apo jashtë vendit tonë e me qëllim që të mblidhen sa më shumë fakte si dhe të ndiqen penalisht dhe të ekstradohen kur është nevoja të gjithë ata që kanë kryer krime lufte”, ka thënë ai. /Lajmi.net/