Presidenti slloven viziton sot Kosovën

7:39 | 29 Nentor 2021

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor sot do të arrijë për një vizitë në Kosovë.

Ai me këtë rast do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takimi i Pahorit me Osmanin do të mbahet në ora 10:00, ndërsa me Kurtin në ora 11:20.

Pahor do të vizitojë edhe kontingjentin slloven në kuadër të KFOR-it, ku do të takohet me komandantin Ferenc Kajari.

Gjatë vizitës së tij dje në Serbi, ai tha se do të punojë me bashkëbiseduesit e tij në Kosovë, ku po shkon pas Beogradit, për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, të cilat po zhvillohen në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Dialogu që është ndalur, më shqetëson. Mendoj se duhet të vazhdojë”, tha Pahor, duke shtuar se Sllovenia gjithmonë e ka mbështetur dialogun dhe se ngërçi nuk i bën dobi askujt.

Presidenti i Sllovenisë theksoi se ai e mbështet nismën për Ballkanin e Hapur duke besuar se ajo nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por si një proces paralel që eliminon disa probleme dypalëshe që mund të kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon.

Sipas tij, samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt në tetor, ishte i mirë, por ajo që u ra dakord ishte shumë e vogël nga aspekti i vullnetit politik të BE-së për të kundërshtuar seriozisht rreziqet që vijnë nga format e ndryshme të mosbesimit mes shteteve në rajon./Lajmi.net/