Presidenti: Qytetarët e duan bashkimin e liderëve për interesin shtetëror
Në fund të fjalimit të tij vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.
Lajme
“Prandaj është detyra e imja, detyra e juaja si deputetë, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndaluar për të mirën tonë të përgjithshme”, ka thënë ai.
Si President i Republikës së Kosovës, Thaçi ka thënë se do ta përcjellë me vëmendje punën e institucioneve shtetërore në përmbushjen e aspiratave dhe synimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në fund, pasi jemi në prag të festave të fund-vitit, ai u ka uruar edhe paqe, shëndet e lumturi, deputetëve dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës.