Presidenti i Koresë së Jugut arrestohet pas tentativës për të shpallur gjendje lufte

Lideri i shkarkuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u arrestua të mërkurën për shkak të përpjekjes së tij të dështuar për të shpallur gjendje lufte, duke i dhënë fund një përballjeje disa javore me autoritetet dhe duke u bërë presidenti i parë në historinë e vendit që arrestohet. Yoon, i cili përballet me…

Bota

15/01/2025 08:33

Lideri i shkarkuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u arrestua të mërkurën për shkak të përpjekjes së tij të dështuar për të shpallur gjendje lufte, duke i dhënë fund një përballjeje disa javore me autoritetet dhe duke u bërë presidenti i parë në historinë e vendit që arrestohet.

Yoon, i cili përballet me akuza për kryengritje pas përpjekjes së tij jetëshkurtër për të shpallur gjendje ushtarake muajin e kaluar, tha se do të bashkëpunonte me hetuesit për të shmangur “derdhjen e gjakut”.

Si një ish-prokuror që udhëhoqi Partinë Konservatore të Fuqisë Popullore (PPP) drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2022, Yoon mund të përballet me dënim me vdekje ose burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor për kryengritje.

Ai kishte tentuar ta shmangte arrestimin për javë të tëra duke qëndruar në rezidencën e tij, i mbrojtur nga anëtarët e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale (PSS) që i kishin qëndruar besnikë.
Rojet e tij kishin vendosur tela me gjemba dhe barrikada në rezidencë, duke e kthyer objektin në atë që opozita e quajti “kështjellë”.

Yoon, i cili kishte premtuar të “luftonte deri në fund”, arriti të shmangte përpjekjen e parë për arrestimin e tij më 3 janar, pas një përballjeje të tensionuar disa orëshe midis rojeve dhe hetuesve anti-korrupsion që punonin me policinë.

Por, në orët e hershme të së mërkurës, qindra zyrtarë policorë dhe hetues nga Zyra e Hetimeve për Korrupsion rrethuan sërish rezidencën, disa duke u ngjitur mbi muret rrethuese dhe duke kaluar shtigje të fshehta për të arritur te ndërtesa kryesore.

Pas një përballjeje rreth pesë orëshe, autoritetet njoftuan se Yoon ishte arrestuar dhe lideri i shkarkuar publikoi një mesazh të regjistruar paraprakisht.

“Vendosa të përgjigjem ndaj Zyrës së Hetimeve për Korrupsion”, tha Yoon në mesazh, duke shtuar se nuk e pranonte ligjshmërinë e hetimit, por po bashkëpunonte “për të parandaluar çdo derdhje fatkeqe të gjakut”.

Hetuesit filluan menjëherë ta marrin në pyetje Yoonin, por ata thanë se ai kishte ushtruar “të drejtën e tij për të heshtur”.

Ai refuzoi të incizohej gjatë marrjes në pyetje, tha një zyrtar, duke shtuar se Yoon do të kalonte natën në një qendër paraburgimi.

Në një postim të mëvonshëm në Facebook, që Yoon tha se e kishte shkruar ndërsa ishte i ngujuar në rezidencën e tij, ai përsëriti pretendimet për mashtrim zgjedhor dhe foli për kombe “armiqësore” që po sulmonin vendin, duke iu referuar Koresë së Veriut.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP kanë raportuar për përleshje të vogla te porta e rezidencës, ku mbështetësit më të flaktë të Yoon ishin vendosur për ta mbrojtur atë, ndërsa autoritetet nisën operacionin për arrestim.

Mbështetësit e tij dëgjoheshin duke brohoritur “urdhër arresti i paligjshëm!” ndërsa në duar mbanin flamuj të Koresë së Jugut dhe SHBA-së. Disa prej tyre qëndronin të shtrirë në tokë para portës kryesore të kompleksit rezidencial.