Presidenti amerikan, Joe Biden i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës
Presidenti i SHBA-ve, Joseph Biden, i dërgoi një letër urimi Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë. Në këtë letër ndër të tjera Biden kërkoi edhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.
Lajme
“Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të sinqerta juve dhe bashkëqytetarëve tuaj me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë më 15 Shkurt,” thuhet në mesazhin e urimit, shkruan B92, përcjell lajmi.net.
Biden në letrën e tij veçanërisht theksoi mbështetjen e SHBA-së “për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke”.
Në letrën e tij presidenti amerikan po ashtu ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin evropian të Serbisë
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të vështirë drejt këtij qëllimi, duke përfshirë futjen e reformave të nevojshme,” tha presidenti i SHBA-së
“Fuqia e marrëdhënieve tona bazohet në historinë e thellë të lidhjeve midis popujve tanë që luftuan si aleatë në të dy luftërat botërore dhe ne vlerësojmë shumë kontributin e madh që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë duke luftuar pandeminë Covid-19., ndërsa së bashku ne përballemi me këtë sfidë të paparë globale. Unë pres që të bashkëpunoj me ju në thellimin e lidhjeve miqësore midis vendeve tona dhe forcimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara” thuhet ndër të tjera në urimin e Biden. /Lajmi.net/