Presidenca reagon ndaj thirrjeve për “pushkatim” të Osmanit: Kjo është nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim, të nisin menjëherë hetimet

Presidenca e Republikës së Kosovës, ka reaguar ndaj thirrjeve që janë bërë në publik për pushkatim të Presidentes Vjosa Osmani. Nga Presidenca e kanë dënuar ashpër këtë gjuhë, pasi kanë thënë se është gjuhë e rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike. “Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë…

Lajme

09/03/2026 10:11

Presidenca e Republikës së Kosovës, ka reaguar ndaj thirrjeve që janë bërë në publik për pushkatim të Presidentes Vjosa Osmani.

Nga Presidenca e kanë dënuar ashpër këtë gjuhë, pasi kanë thënë se është gjuhë e rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike.

“Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime”, kanë thënë nga Presidenca.

Ata kanë thënë se Presidentja Osmani nuk është “vegël” e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për tradhti.

“Ajo është Presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës. Ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike”, thuhet mes tjerash në reagim.

Nga Presidenca kanë rikujtuar se Kosova ka paguar shumë për lirinë e saj që të tolerojë sot gjuhë linçuese ndaj institucioneve të saj.

“Thirrjet për “pushkatim” nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim. Kushdo që mendon se mund ta frikësojë një Presidente me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike. Presidenca e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë në Facebook: