Presidenca e konfirmon: Presidentja Osmani ia kthen për rishqyrtim dy ligje pushtetit

Zyra e Presidencës së Kosovës ka konfirmuar tashmë se bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, Presidentja Osmani ka përdorur të drejtën e vetos, duke kthyer dy ligje për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës: Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me…

Lajme

19/11/2024 14:03

Zyra e Presidencës së Kosovës ka konfirmuar tashmë se bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, Presidentja Osmani ka përdorur të drejtën e vetos, duke kthyer dy ligje për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës:

Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë. Për më tepër, bashkëngjitur gjeni dokumentet me arsyetimet përkatëse”,thuhet në njoftimin për media.

Çka parashihte Neni 17, paragrafi 4 i Ligjit që Presidentja ia ktheu Kuvendit?

Neni 17, paragrafi 4 i këtij akti ligjor përcakton kërkesat për reduktimin e qeseve të plastikës, duke vendosur kufizime të qarta për prodhimin, importin dhe tregtimin e tyre. Ai ndalon qartë prodhimin dhe shitjen e qeseve plastike të lehta me dorëza që kanë trashësi nga 0 deri në 25 mikron, për të reduktuar ndikimin mjedisor. Për qeset shumë të lehta pa dorëza, është e lejuar shitja pa tarifë për konsumatorin. Ndërsa qeset plastike të lehta me dorëza, me trashësi nga 25 deri në 50 mikron, duhet të shiten me një çmim minimal prej 0.05 euro, nga i cili një pjesë kalohet në buxhetin e Republikës së Kosovës. Për këto qese, ndalohet përdorimi i logos ose markës tregtare.

Për qeset plastike të trashësisë mbi 50 mikron, nuk kërkohet çmim minimal detyrues dhe përdorimi i logos është i lejuar, ndërsa konsumatorët nuk paguajnë për to. Për qeset biodegraduese të kompostueshme, pa marrë parasysh madhësinë apo trashësinë e tyre, nuk parashikohet çmim minimal detyrues, me kusht që të jenë të certifikuara si materiale biodegraduese. Këto masa synojnë të reduktojnë ndotjen nga qeset plastike dhe të inkurajojnë përdorimin e alternativave më miqësore ndaj mjedisit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi tani është i obliguar të rishikojë projektligjin dhe të shqyrtojë komentet dhe rekomandimet e Presidentes. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Kjo është hera e parë që presidentja Osmani përdor të drejtën për të kthyer ligje në Kuvend për rishqyrtim gjatë mandatit të saj si presidente./Lajmi.net/