Konstituimi i kuvendit mbetet pa zgjidhje- Presidenca ka gati një draft për ta çuar në Kushtetuese- A do t’i ftojë Osmani liderët sërish në takim?

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancën e 30-të me radhë, pasi në seancën e kaluar partitë opozitare kanë kundërshtuar votimin e fshehtë- siç u veprua edhe në shumë seanca të tjera duke e kundërshtuar kështu vendimin e Vetëvendosjes që brenda seancave të ndryshohet mënyra e konstituimit të kuvendit. Derisa asnjëra nga partitë nuk lëviz nga…

Lajme

10/06/2025 10:38

Kuvendi i Kosovës nesër mban seancën e 30-të me radhë, pasi në seancën e kaluar partitë opozitare kanë kundërshtuar votimin e fshehtë- siç u veprua edhe në shumë seanca të tjera duke e kundërshtuar kështu vendimin e Vetëvendosjes që brenda seancave të ndryshohet mënyra e konstituimit të kuvendit.

Derisa asnjëra nga partitë nuk lëviz nga qëndrimet e tyre, në Kuvendin e Kosovës edhe 4 muaj pas zgjedhjeve, vazhdon të përsëritet situata e njëjtë.

Ky ngërç i cili po e përcjellë Kosovën tash e disa muaj ka detyruar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani që të përfshihet në këtë situatë.

Osmani më 15 maj kishte ftuar në një takim liderët politikë për të diskutuar lidhur me ngërçin politik, ky takim i saj nuk solli ndonjë rezultat, pasi paritë politike po vazhdojnë të mos kenë marrëveshje për ta konstituuar kuvendin.

E njëjta situatë thuajse u përcoll edhe në takimin e dytë të mbajtur me 4 qershor 2025.

Këshilltari për media në zyrën e Presidentes, Bekim Kupina i tha lajmi.net se presidentja deri tash i ka fituar dy herë partitë politike dhe se ftesa e saj vlen ende nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike.

‘’Pas takimit të mbajtur më 15 maj 2025, i cili ishte takimi i parë konsultativ, presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, këtë herë për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë këtij takimi të dytë, presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike’’ është shprehur Bekim Kupina – këshilltar për media.

Gjithashtu Kupina për lajmi.net deklaroi se ekipi ligjor i presidencës kanë përgatitur një draft të lëndës, që mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar, por thonë se janë në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, është shprehur Kupina.

Tashmë kanë dështuar 29 seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovë dhe si duket zgjidhje nuk do të ketë.

Vetëvendosje po insiston në Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, emër ky që po refuzohet nga partitë e tjera, të cilat po e shohin si figurë përçarëse.

Derisa situata në teren bën të ditur se zgjidhje të shpejtë për konstituimin e Kuvendit nuk ka- formimi i qeverisë së re nuk shihet as në horizont.

Vetëvendosje nuk pranon assesi që të tërhiqet nga propozimi për votim të fshehtë, e nga PDK, LDK, AAK e NISMA nuk duan t’i bashkohen këtij propozimi.

Gjatë ditës së djeshme presidentja Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.

E në publik diskutime ka pasur edhe për mundësinë që dy palë zgjedhje të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Madje shpesh herë deputetët e Kuvendit u deklaruan se janë pro zgjedhjeve të reja, por se edhe për këtë duhet dakordim- dakordim për shpërbërje të kuvendit ende të pakonstituar./Lajmi.net/