Premtimi i parealizuar – Qeveria Kurti s’arriti ta çoi deri në fund projektin e Mjekut Familjar
Projekti për përzgjedhjen e Mjekut Familjar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, i paralajmëruar se do të përfundonte brenda vitit 2025, vazhdon të mbetet i parealizuar, duke ngjallur shqetësim te qytetarët dhe profesionistët e shëndetësisë. Në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuar më 4 tetor të vitit të kaluar, bëhej e…
Lajme
Projekti për përzgjedhjen e Mjekut Familjar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, i paralajmëruar se do të përfundonte brenda vitit 2025, vazhdon të mbetet i parealizuar, duke ngjallur shqetësim te qytetarët dhe profesionistët e shëndetësisë.
Në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuar më 4 tetor të vitit të kaluar, bëhej e ditur se projekti, në fazën fillestare, do të zgjaste 100 ditë, ndërsa përfundimi i plotë i tij pritej deri në fund të këtij viti. Megjithatë, edhe pas përfundimit të afatit të paralajmëruar, projektit ende nuk i është dhënë drita jeshile.
Sipas ekspertëve të sektorit shëndetësor, vonesa e këtij projekti mund të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve bazë mjekësore për qytetarët, duke shtuar ngarkesën mbi qendrat ekzistuese shëndetësore dhe duke rritur pasigurinë lidhur me aksesin në Mjekun Familjar.
Megjithëse ka mundësi që projektit t’i jepet zgjidhje gjatë ditëve të fundit të vitit 2025, rezultatet mbeten të pasigurta, duke nxjerrë në pah sfidat e efikasitetit dhe përgjegjësisë institucionale të Ministrisë së Shëndetësisë në zbatimin e projekteve të paralajmëruara.
Ministria ende nuk ka dhënë një afat të ri zyrtar për përfundimin e projektit, ndërsa qytetarët presin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që të përmirësohet qasja dhe shërbimi mjekësor në të gjithë Kosovën.

Shtrirja dhe rëndësia e projektit:
Projekti i Mjekut Familjar synon të përmirësojë menaxhimin e shëndetit primar dhe të lehtësojë qasjen e qytetarëve në kujdesin shëndetësor, duke ofruar një bazë më të qëndrueshme për shëndetësinë primare në vend. Vonesa aktuale ngre pyetje mbi kapacitetin e institucioneve për të implementuar projekte të tilla madhore.
Mars 2025
Ky projekt fillimisht kishte qenë pilot-projekt vetëm në katër komuna, por më pas projekti për Përzgjedhjen e mjekut familjar ishte zgjeruar në tërë vendin dhe synohej të zgjaste 100 ditë.
Megjithatë qytetarët në shumë komuna ende po përballeshin me probleme sa i përket aplikimit në E-Kosova. Nga komuna e Drenasit ishte kërkuar hapja e një zyre mbështetëse për qytetarët.
“Ajo zyre me kon mbështetëse i qytetarëve që me u regjistrua nëse nuk munden me u regjistrua online, se shumë prej tyre ndoshta nuk din me u regjistruar në E-Kosova, dikush s’ka telefon hiç…”, ishte pergjigjur Ismet Bogiqi, drejtor i QKMF-së në Drenas.
Derisa nga Ministria e Shëndetësisë në muajin mars të këtij viti kishin thënë se po punohet në këtë drejtim.
“Procesi i përzgjedhjes së mjekut familjar ende nuk është përmbyllur. Sipas Planit të Veprimit, ky proces do të vazhdojë deri në fund të vitit 2025″, deklaruan nga MSh-ja. /Lajmi.net/