Premtimi i Kurtit për mbrojtje nga vërshimet, Lladrovci: Nga e thëna në të bërë është një det i tërë
“Do t’i mbrojmë qytetarët nga përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Si hap i parë, do të funksionalizohet sistemi i paralajmërimit në kohë reale. Do të ripyllëzohen brigjet e lumenjve, për të parandaluar vërshimet dhe do të ndihmohen komunat në pastrimin dhe rikonstruksionin e kanaleve kulluese”. Kjo deklaratë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e…
Lajme
“Do t’i mbrojmë qytetarët nga përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Si hap i parë, do të funksionalizohet sistemi i paralajmërimit në kohë reale. Do të ripyllëzohen brigjet e lumenjve, për të parandaluar vërshimet dhe do të ndihmohen komunat në pastrimin dhe rikonstruksionin e kanaleve kulluese”.
Kjo deklaratë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e bërë gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, po shihet me dyshime nga një komunë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se mes premtimeve dhe realizimit ekziston një hendek i madh.
“Është një fjalë e urtë që e ilustron këtë deklaratë, ‘Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë’”, tha Lladrovci për Klankosova.tv.
Ai deklaroi se, pavarësisht qëllimeve të mira, përvoja e komunës me emergjencat dhe dëmet e viteve të fundit nuk lë shumë hapësirë për pritje.
“Qëllimet mund të jenë të mira, por, duke ditur kërkesat tona ndër vite, emergjencat dhe dëmet që na shkaktohen çdo vjet, nuk pres shumë”, shtoi kryetari i Drenasit në një përgjigje me shkrim për Klankosova.tv.
Lladrovci përmend edhe problemin e lumit Drenica, duke theksuar se mosrealizimi i plotë i pastrimit ka ndikuar në vërshimet e fundit.
“E para, pastrimi i lumit Drenica, shumë vite më parë ishte planifikuar të pastrohet me tri llote, dy janë pastruar, e treta nuk ka filluar dhe pikërisht lloti apo pjesa e papastruar është shkaktare e vërshimeve të sivjetshme, me dëme rreth 1.6 milion euro”, deklaroi ai.
Sipas tij, edhe zjarret mbeten problem serioz për shkak të mungesës së kapaciteteve intervenuese.
“Zjarret po bëjnë kërdi çdo verë, e ne kemi mungesë të automjeteve dhe personelit për emergjenca. Për të evituar pasojat, kërkohet mënjanimi i shkaqeve, mungesa e rrugëve e shtigjeve në pyje, e personelit dhe automjeteve të zjarrfikësve. Zjarret nuk e dëmtojnë vetëm Drenasin, por çdo komunë, duke dëmtuar tërë Kosovën, dhe sipas një statistike, preken rreth 26 mijë hektar pyje në vit”, tha Lladrovci.
Ai thekson njëherësh, se pastrimi i lumenjve dhe përroskave duhet të bëhet me plan afatgjatë dhe jo vetëm në situata emergjente.
“Pastrimin e lumenjve dhe përroskave duhet trajtuar me prioritet në verë, jo në dimër. Kërkohet masterplan, veprime të vazhdueshme, me përkrahje buxhetore dhe logjistike, dhe për këtë ne kemi plan. Por, si të kemi buxhet kur buxheti na dëmtohet çdo vit me miliona për kontratën kolektive?”, potencoi ai.
Lladrovci thotë se në kuadër të projektit “smart city” është paraparë edhe sistemi i paralajmërimit të hershëm dhe pyllëzimi, por mbështetja institucionale ka munguar.
“Ne kemi një plan për menaxhimin e ujërave në komunën tonë, e kemi paraqitur para donatorëve, presim përgjigje. Me projektin tonë ‘smart city’ e kemi brenda planit edhe paralajmërimin e hershëm të rreziqeve, si dhe pyllëzimin duke kërkuar përkrahje me fidanë të cilët nuk na arritën kurrë”, tha ai.
Kryetari i Drenasit përmendi edhe një rast konkret me Urën e Shtrubullovës, duke kritikuar mungesën e financimit për riparimin e saj.
“Për ilustrim, kur kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës financimin e Urës së Shtrubullovës, me vlerë rreth 300 mijë euro e cila është dëmtuar nga vërshimet e janarit, na erdhi përgjigja ‘pse nuk i kemi planifikuar vërshimet’ dhe nuk mund ta financojnë sepse nuk është ‘obligim’ i tyre. Prandaj në këto rrethana, fjalët dhe veprat kanë mospërputhje tejet të madhe”, deklaroi Lladrovci.
Ndërkohë, për këtë çështje Klankosova.tv ka kontaktuar edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK). Drejtori ekzekutiv i tij, Sazan Ibrahimi, ka thënë se për shkak të fushatës zgjedhore, nuk mund të prononcohet për deklarimet e Kurtit.
Megjithatë, vetë Ibrahimi ka theksuar disa herë problemin e bashkëpunimit jo të mirë gjatë qeverisjes 6-vjeçare të Kurtit, ndërmjet komunave të udhëhequra nga kryetarë opozitarë dhe atyre që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.