Premtimi Europian

Kryeministri Edi Rama, pas takimit me Komisionerin e BE’së, Stefan Fyle, ka pohuar se do të plotësojë 5 prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Lajme

11/11/2013 17:17

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit që ka pasur sot me Komisionerin e BE’së, Stefan Fyle, në Tiranë, ka deklaruar se Qeveria e tij do të përshpejtojë procesin e integrimit të vendit.

Ai ka pohuar se do të plotësojë 5 prioritet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Po ashtu, ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Komisioneri i BE’së, Stefan Fyle, e viziton Shqipërinë për herë të parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në prag të një nisme që merr jetë nesër, për një dialog të nivelit të lartë në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit, një proces që nuk është ekskluzivitet i Qeverisë ose shumicës parlamentare. Ky proces është ‘gjithëpërfshirës’ dhe shkon edhe përtej partive politike”.

Kryeministri Edi Rama është shprehur më tutje se do t’i japë opozitës vendin që i takon dhe të gjitha të drejtat e tjera, gjë që, sipas tij, kur të majtët ishin në opozitë – këto nuk i patën.

Komisioneri i BE’së, Stefan Fyle, e ka quajtur kënaqësi diskutimin me Kryeministrin Rama, pasi kjo ishte edhe vizita e tij pas zgjedhjeve.

Ai ka thënë se me Ramën ka diskutuar për shumë çështje, përfshirë edhe statusin e kandidatit.

Fyle ka nënvizuar edhe rëndësinë për një dialog politik konstruktiv. Kjo, sipas tij, është thelbësore për të rigjallëruar jetën politike të vendit.

“Ne kemi diskutuar një serë çështjesh, kemi folur për statusin, dhe janë disa çështje që janë diskutuar edhe në sajë të rekomandimit të dhënë për statusin. Përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit, KE ka theksuar edhe 5 prioritete kyçe, që duhen përmbushur dhe për sa i përket vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për sa i përket sidomos luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe treguar rezultate”.

Ai tha se dialogu i nivelit të lartë do të ndihmojë Shqipërinë për të vendosur fokusin e veprimeve të saj pikërisht në ato fusha që janë më të rëndësishme.