Prefiksi përmes Shqipërisë, e jo Serbisë
Deputeti i Lëvizjes për Bashkim kërkon që prefiksi për telefoninë të merret nag Shqipëria, ashtu siç ka vendosur Kuvendi me Rezolutë. Lëvizja për Bashkim kundërshton marrëveshjen e arritur të dielën në Bruksel në mes të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic, për telekomunikacionin. Deputeti i kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës,…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes për Bashkim kërkon që prefiksi për telefoninë të merret nag Shqipëria, ashtu siç ka vendosur Kuvendi me Rezolutë.
Lëvizja për Bashkim kundërshton marrëveshjen e arritur të dielën në Bruksel në mes të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic, për telekomunikacionin. Deputeti i kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës, Agim Kuleta tha në një konferencë shtypi se Kosova po demonstron një varësi të papranueshme ndaj Serbisë për zgjidhjen e problemeve të saj të brendshme.
“Mbi të gjitha, me këtë marrëveshje është shkelur rezoluta Kuvendit të Kosovës, e vjeshtës së vitit të kaluar, për shfrytëzim të kodit +355 dhe memorandumi i bashkëpunimit në këtë fushë i nënshkruar midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në funksion të zbatimit të rezolutës së lartpërmendur”.
“Me këtë marrëveshje po legjitimohet veprimi ilegal i operatorëve serbë në Kosovë dhe, për më tepër, po i vazhdohet leja për operim deri në marrjen e një kodi për Kosovën, gjë që është në kundërshtim me të gjitha normat juridike dhe ato mbi tregun e lirë, përkatësisht të drejtës së barabartë për konkurrencë”.
“Gjithashtu në vend se të vazhdohet pa humbur kohë në zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ku parashihet shfrytëzimi i kodit +355 nga Kosova, Qeveria e Kosovës e përfshinë edhe këtë çështje të brendshme në negociata me Serbinë, ku dihet që bazë e marrëveshjes midis palëve është kompromisi”.
Deputeti Kuleta i cili kishte inicuar Rezolutën e miratuar në Kuvend për shfytëzimin e prefiksit të Shqipërisë, tash i ka mbetur vetëm të pyes, pasi marrëveshja është arritur me Serbinë për çështjen e telekomunikacionit.