Porositë e votuesit kosovar

Jeta normale në çdo komunë, ku ta zëmë njëra prej temave kyç është uji 24 orë në ditë, është vlerë sipërore patriotike dhe shtetërore.

Opinion

04/12/2013 06:48

Fundi i rrëfimeve të mëdha politike. Fillimi i politikës së mirëfilltë, çfarë mbizotëron në shtetet e demokracisë liberale.

Mbase, me këto dy fjali, në shikim të parë goxha të përgjithësuara, të cilat njohin edhe referenca postmoderniste, do të mund të përshkruhej me një saktësi të qëndrueshme porosia që politikës publike ia dha votuesi anonim në dy raundet zgjedhore, me 3 nëntor dhe 1 dhjetor.

Turrevrapi i analizimit të kësaj porosie të sovranit (siç tani po e kuptojmë të gjithë), me dyzimin e zjarrmisë së anshmërisë politike, urrejtjes patologjike dhe injorancës kronike, të thuash pamundëson që të shpjegohet se çfarë në të vërtetë ndodhi në këtë vjeshtën e gjashtë të shtetit të Kosovës.

Ndër formulimet tepër të rralla të sakta që u artikuluan ditëve të fundit, në përpjekjen për të komentuar verdiktin e votuesit, është ai që foli për ‘votën ndëshkuese’ të qytetarit, thuaja në të gjitha komunat e Kosovës, ku të parit e komunës ishin zgjedhur qysh në nëntorin/dhjetorin e vitit 2007, në ato votimet e mbrama para se Kosova të bëhej shtet i pavarur.

Vota ndëshkuese flet për fenomenin kur në një garë zgjedhore, bindja a përshtypja negative për Kryetarin aktual të komunës, për zyrtarin më të lartë të saj pra (brenda një tjetër koncepti të qëndrueshëm të konsumimit, shterjes së tij në qëndrimin shumëvjeçar në pushtet), është përcaktuese për zgjedhjen e oponentit a sfiduesit më serioz të tij, pa marrë parasysh se cilës parti i takon.

Por, ka edhe shumë elemente të tjera të cilat do të duhej patjetër të përfshiheshin në ndërmarrjen e analizës mundësisht gjithëpërfshirëse të ngjarjes më madhore në çdo demokraci përfaqësuese: të votimit.

Kësaj radhe, për askënd nuk ka justifikim që vota a vullneti i lirë i qytetarëve ka qenë i falsifikuar, siç ka qenë rasti me zgjedhjet e vitit 2010. ‘Monedha’ zgjedhore kësaj here është valide, është e vërtetë. Ajo përkthehet, në një çmim, në një vlerë që politikanët kanë në nivelin lokal, sikurse edhe në peshën a çmimin që partitë si të tilla, kanë në nivelin kombëtar.

Njëri prej këtyre elementeve të pashmangshme është fakti që askush më nuk mund t’i shmanget llogaridhënies për çfarë ka bërë dhe çka nuk ka bërë në qeverisjen me komunën, duke u fshehur prapa flamurit kuq e zi, flamurit shtetëror të Kosovës, apo kallëzimit për meritat që ai i ka në Lëvizjen kombëtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Meritat historike meritojnë medalje dhe mirënjohje e jo mandate të reja.

Jeta normale në çdo komunë, ku ta zëmë njëra prej temave kyç është uji 24 orë në ditë, ose ngrohja gjatë dimrit, ose pastërtia e qytetit, është vlerë sipërore patriotike dhe shtetërore.

Elementi tjetër shumë i rëndësishëm në shqyrtimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale përkon me dimensionin social. Qytetarët e rëndomtë të Kosovës duan të jetojnë më mirë në shtetin e Kosovës, dhe në komunat ku janë banorë. Durimi i tyre qyshmoti ka skaduar. Ata duan të shohin shumë konkretisht, tash, e jo pas disa vitesh, se si po ndodhë ndryshimi për të mirë i statusit të tyre social. Pikërisht ky status social është emri kryesor i një nënshtetasi të Kosovës, e cila e ka të zgjidhur statusin e vet si vend. Është temë në vete fakti që pakënaqësia sociale, në rritje e sipër, ndodh të manipulohet për përfitime zgjedhore prej disa matrapazëve ordinerë politikë, të cilët janë farkëtarë të parasë së rreme politike. Fatkeqësisht, ka edhe të tillë që dolën fitues në këto zgjedhje.

Një tjetër element po aq me peshë është përgjegjësia për fjalën publike, për zotimin publik që dikush e bën si zyrtar në komunë.

Nuk harrohen më dot premtimet që një kryetar i komunës i ka bërë katër apo gjashtë vjet më parë, derisa në ndërkohë gjendja në atë qytet apo në atë komunë, në fund të mandatit, nuk ka reflektuar as për së afërmi Pakon e premtimeve dhe zotimeve parazgjedhore.

Më në fund, nuk duhet lënë mënjanë as atë përshtypjen krejtësisht mbizotëruese tek qytetari i rëndomtë kosovar për korrupsionin si sistem të qeverisjes në Kosovë, e cila pastaj kërkon zhdëmtimin përmes ndëshkimit të autoriteteve qeveritare.

Gjithsesi, luftimi i korrupsionit do të jetë njëra prej detyrave kryesore të secilit kryetar të komunës, kudo në Kosovë.

Por, këtu pakkush e di që, ta zëmë, rroga aktuale e Kryetarit të Prishtinës nuk kalon 900 Euro, që në komunat tjera është edhe më e vogël, gjë që pranuam apo jo, s’është gjë tjetër veçse ftesë për korrupsion, ose edhe për favorizim të kompanive në tregun lokal.

Kjo është temë e veçantë për diskutim në shoqërinë kosovare.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)