Politika kundër Shtetit

Çka është sot shteti i Kosovës? A mund të definohen qartë, interesat jetik aktual dhe afatgjatë të shtetit të Kosovës, të cilat pastaj do të siguronin mbështetjen e gjithë politikës kosovare?

Lajme

27/06/2015 13:01

Politika e sotme kosovare, është lehtë e parashikueshme. Të thash, është krejt transparente në këtë aspekt. Është lakuriqe. Për më keq, po aq lehtë është të shpjegohet çka po ndodhë në politikën kosovare.

Kurrë më shumë nuk është diskutuar dhe debatuar në politikën dhe shoqërinë kosovare.

Ky është një përfundim që gjithsesi na bashkon të gjithë neve.

Kurrë më pak gjëra të mençura, të dobishme, të rëndësishme për këtë vend, po thuhen në këtë debat të vazhdueshëm, i cili ka orarin 24/7.

Në fakt, diskursi aktual politik në Kosovë, mbizotërohet mbi të gjitha me shpërthim emocionesh, me sundim të plotë të interesave individual dhe grupor  (mbase, këta interesa nuk arrin dot as në nivel të partisë), me prani gjithnjë e më sasiore të injorancës politike, me shfrytëzim deri në shkallë të absurditetit të kartës kinse patriotike në trajtimin e dukurive themelore të shoqërisë kosovare.

Çfarë dobie mund të ketë atëherë nga një politikë e kësillojtë?

A mund kjo politikë, çfarë është sot pra, të gjejë përgjigjet në pyetjet më themelore që bëhen në një shtet, çfarë mund të jenë edhe këto si vijojnë (dhe shumë të tjera, natyrisht): Çka është sot shteti i Kosovës? Ku fillon ky shtet, në fakt? Si i ka punët ky shtet? A mund të definohen qartë, interesat jetik aktual dhe afatgjatë të shtetit të Kosovës, të cilat pastaj do të siguronin mbështetjen e gjithë politikës kosovare?

A është shteti organizimi themelor politik i shqiptarëve të Kosovës, apo në realitet, ky organizim politik nuk ecën dot tej oborrit të shtëpisë, familjes dhe mëhallës, grupeve dhe klaneve joformale, sërish duke mos arritur as në nivelin e një partie politike?

A është shteti i Kosovës ai autoriteti suprem politik dhe shoqëror, të cilit të gjithë ne duhet t’i subordinohemi  (natyrisht, me Kushtetutë dhe me Ligj, me Legalitet dhe me Legjitimitet), apo, ky shtet, është vënë në lojë nga politika e përditshme?

A jemi të vetëdijshëm që përplasjet e vazhdueshme politike që janë oferta e vetme në ‘menynë’ e politikës kosovare, janë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës?

Politika bëhet për shtetin, e jo anasjelltas, siç po ndodhë tek ne: Shteti për politikën.

Dihet kush kujt duhet t’i shërbej këtu.

Në një atmosferë të llojit të tillë të politikës, e cila nuk duket që ka gjasa të ndryshojë fare në javët dhe muajt e ardhshëm, duket e pamundur që akëcila prej temave kyç që hynë në Listën e çështjeve që bëjnë atë interesin jetik të shtetit të Kosovës, të trajtohet si duhet nga politika kosovare.

Shembulli që na flet sa të duash në këtë aspekt është mënyra se si jemi marrë si politikë dhe si shoqëri me sprovën e Gjykatës Speciale, e cila na ka dalë, tash e dy vjet, si një çështje e pashmangshme dhe e domosdoshme, jashtë mundësive të ndryshimit thelbësor të drejtimit që kishte marrë ky proces.

Jemi ne pra, është shteti i Kosovës, është kjo Gjykatë. Asnjëri prej këtyre faktorëve nuk mund të përjashtohet dot këtu.

E tëra, nuk është ekuacion me dhjetë të panjohura. Nuk është temë e shkencës fantastike. Nuk është kërkim i ilaçit për sëmundjet e pashërueshme.

Nuk ka pasur aspak vullnet, ndër ne, që kësaj çështjeje t’i qasemi ndryshe, që ajo të imponojë një dialog të mirëfilltë politik që kësaj sprove t’i përgjigjemi si shtet, e jo si politikë e mundimshme që synon të fajësojë sipër recetës së tradhtisë, ata që janë përgjegjës për bërjen e kësaj Gjykate, apo e cila (politikë), për më shumë, dëshiron të përfitojë nga i gjithë ky rrëfim, i cili realisht, është konfirmim i goxha do dështimeve, vendore dhe ndërkombëtare, në synimin për ta dyzuar drejtësinë a sundimin e ligjit me bërjen dhe me mbajtjen e shtetit të Kosovës.

Artikulimi i interesit shtetëror, pastaj, organizimi politik për të garantuar atë interes, për ta mbrojtur atë në çdo rrethanë të mundshme, nuk mbërrihet dot me politikën që sot sundon me Kosovën.

Ky konkludim po bëhet gjithnjë e më i qartë në Kosovë.

Pasojat e këtij degradimi të vazhdueshëm të politikës kosovare, do të hetohen me vite të tëra.

Dhe natyrisht, faturën e këtij ‘borxhi politik’ që sa vjen e rritet, në baza ditore, do ta paguajnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)