Policia tregon për rrjedhën e protestave në komunat serbe
Policia ka dhënë informacione lidhur me protestat e mbajtura në disa lokacione të ndryshme të vendit.

Lajme
Protestat e qytetarëve serb në Kosovë u mbajtën për shkak të rritjes së takës në 100 për qind për produktet nga Serbia dhe për arrestimin e 3 personave të dyshuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Protestat kanë qenë të qeta dhe pas shpërndarjes së protestuesve rrugët janë liruar për qarkullim të automjeteve, transmeton lajmi.net.
Njoftimi i plotë:
Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestat e mbajtura sot në disa lokacione të ndryshme të vendit si, në Graçanicë, Shtërpcë dhe në disa lokacione në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestave.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Protestat kanë filluar rreth orës 12:00 dhe kanë përfunduar rreth orës 13:00, përderisa gjatë kësaj periudhe kohore në disa rrugë ku është mbajtur protesta në Veri, qarkullimi i automjeteve ka qenë i ndërprerë përkohësisht.
Vlen të potencohet se protestat kanë qenë të qeta dhe pas shpërndarjes së protestuesve rrugët janë liruar për qarkullim të automjeteve.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planifikimeve policore, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. /Lajmi.net/