Policia shoqëron 35 kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin e Tiranës

Kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin e Tiranës po vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e Drejtorisë së Policisë, ku u shoqëruan nga policia në mesnatë.

Lajme

08/04/2021 08:35

Grupi prej 35 kontrollorësh ishte vendosur në një hotel pranë aeroportit dhe pas largimit të mediave, të gjithë janë shoqëruar nga efektivët e policisë.

A2neës raporton se nuk ka ende një urdhër-arresti për ta deri tash, por janë marrë në pyetje për informacion. Nuk është lejuar as prania e avokatit me pretendimin se kontrollorët nuk janë marrë në cilësinë e të pandehurve.

Ndërkohë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë ka filluar hetimet për situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit. Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me shpërdorimin e detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Kontrollorët e Trafikut Ajror ndërprenë një ditë më parë punën, pasi kërkojnë rikthimin e pagës në nivelet që e kanë pasur, kushte më të mira pune dhe rikthimin në detyrë të disa kolegëve për të cilët ka nisur procedura e shkarkimit. Si pasojë e kësaj, gjatë ditës së mërkurë aeroporti i Rinasit u bllokua për qytetarët. \ a2news