Policia serbe arreston një 77 vjeçar nga Kosova, Ministria e Brendshme e Serbisë pretendon se dyshohet për krime lufte

Një qytetar nga Kosova raportohet të jetë arrestuar nga policia serbe. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare kanë arrestuar kosovarin H.H (77 vjeç). Sipas MPB-së, arrestimi i tij është bërë “nën dyshimin se në vitin 1999 në Podujevë në bashkëpunim me anëtarë të UÇK-së vrau një…

Lajme

09/09/2025 11:04

Një qytetar nga Kosova raportohet të jetë arrestuar nga policia serbe.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare kanë arrestuar kosovarin H.H (77 vjeç).

Sipas MPB-së, arrestimi i tij është bërë “nën dyshimin se në vitin 1999 në Podujevë në bashkëpunim me anëtarë të UÇK-së vrau një civil serb me armë zjarri”.

I dyshuari është urdhëruar të mbahet në paraburgim për 48 orë, e më pas të dërgohet në Prokurori.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në lidhje me këtë arrestim, por deri në momentin e publikimit s’ka pasur asnjë përgjigje.

Arrestimi i tij vjen rreth një muaj pasi autoritetet serbe i arrestuan dy persona në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Ata u arrestun në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye tjera.

Më 22 korrik ato e kanë arrestuar Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Muajin e kaluar u ndalua edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare./Lajmi.net/