Policia refuzon hyrjen e Paviqeviqit në Kosovë

Dejan Paviqeviq nuk është lejuar të hyjë në territorin e Kosovës. Baki Kelani thotë se pjesëtar të Policisë së Kosovës nuk e kanë lejuar atë të kalon kufirin, pasi që i njëjti, nuk ka prezantuar dokument valid për kalimin kufitar. Marko Gjuriq, ka akuzuar autoritetet kosovare, se me këtë veprim, po e shkelin marrëveshjen e Brukselit. 

Lajme

25/06/2014 17:47

Policia e Kosovës nuk ka lejuar që zyrtari ndërlidhës i Serbisë në Kosovë, Dejan Paviqeviq, të futet në territorin e Kosovës.

Lajmi është publikuar nga mediat serbe, të cilat kanë cituar një komunikatë të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ndalesën e automjetit ku gjendej Paviqeviq, i cili po tentonte të kalonte në pikë-kalimin kufitar të Merdarës, e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai bëri të ditur se ndalesa e këtij zyrtari është bërë për shkak të mosposedimit të dokumenteve valide për kalimin e kufirit ndërshtetëror.

“Dy personave u është refuzuar hyrja në Kosovë për shkak se personat nuk kanë prezantuar dokumente valide që kërkohen në bazë të procedurave për kalimin e kufirit ndërshtetëror. Dokumentet që kërkohen në bazë të procedurave ligjore për kalim të kufirit dhe në këtë rast ata nuk kanë prezantuar ato. Dhe për këtë është veprua në bazë të procedurës ligjore ju është refuzuar hyrja në territorin e Kosovës”

Ndërsa, drejtori Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, përmes një komunikate, ka kritikuar autoritetet kosovare për ndalesën që ia kanë bërë zyrtari ndërlidhës i Serbisë në Kosovë, Dejan Paviqeviq-it, për të hyrë brenda territorit të Kosovës. 

“Mohimi i hyrjes së Dejan Paviqeviqit në territorin e Kosovës, i cili po udhëtonte me një automjet me targa diplomatike të misionit të BE-së, paraqet shkelje të marrëveshjes së Brukselit të arritur në mestë të Kosovës dhe Serbisë”.