Policia po vazhdon mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes ku ndodhi vrasja e mbrëmshme

Një ngjarje mjaftë e rëndë ndodhi mbrëmë në kryeqytet. Lagja Aktash në Prishtinë u trondit nga të shtënat e shumta me armë, nga ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën pesë të tjerë. Nga këto të shtëna me armë zjarri humbi jetën në vendin e ngjarjes Premtim Gashi, ndërsa të plagosur janë: Salih…

Lajme

02/09/2024 10:14

Një ngjarje mjaftë e rëndë ndodhi mbrëmë në kryeqytet.

Lagja Aktash në Prishtinë u trondit nga të shtënat e shumta me armë, nga ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën pesë të tjerë.

Nga këto të shtëna me armë zjarri humbi jetën në vendin e ngjarjes Premtim Gashi, ndërsa të plagosur janë: Salih Sekiraq, Korab Gashi, Robert Llumnica, Fatos Abazi, Valdrin Ademi.

Në vendin e ngjarjes sot vazhdojnë të qëndrojnë ende Policia e Kosovës. Që prej mbrëmë Policia po mbikëqyr dhe vëzhgon gjithë vendin ku ndodhi rasti tragjik i vrasjes dhe plagosjeve.

Bashkë me njësitë e tjera policore aty janë edhe Njësiti i Forenzikës dhe rruga vazhdon të jetë e bllokuar për qarkullim.

Disa fotografi të lajmi.net shfaqin nga afër situatën e sotme tek vendi i ngjarjes.

Prova të shumta janë mbledhur që prej mbrëmë në lidhej me këtë rast, ndërsa po vazhdojnë të intervistohen edhe dëshmitarë të rastit.

Në lidhje me këtë ngjarje nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ishin të shtëna me armë zjarri në mes dy grupeve.

Capaj dhe Sekiraqa theksohet të jenë në konflikt që prej shumë kohësh. Premtim Gashi madje ishte plagosur në mars pikërisht nga djali i Salih Sekiraqës, Shkumbin Sekiraqa.

Konfliktet e vazhdueshme në mes të dy palëve çuan edhe deri në vrasjen e njërit prej tyre.

Të plagosurit në këtë rast janë duke u trajtuar në QKUK, derisa gjendja e njërit prej tyre thuhet të jetë e rëndë.

“Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e  plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion”,thuhet në njoftimin e policisë./Lajmi.net/