Policia parandalon kontrabandën në Zubin Potok, arrestohet një person pas mosbindjes ndaj urdhrit për ndalim

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut, ku është arrestuar një person. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në orët e para të së dielës, rreth orës 03:38, gjatë patrullimit në fshatin Bube, kur njësitë policore kanë vërejtur disa automjete të dyshuara, shkruan…

Lajme

19/07/2026 09:40

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut, ku është arrestuar një person.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në orët e para të së dielës, rreth orës 03:38, gjatë patrullimit në fshatin Bube, kur njësitë policore kanë vërejtur disa automjete të dyshuara, shkruan lajmi.net.

Policia bëri të ditur se drejtuesit e automjeteve nuk iu bindën urdhrave për ndalim, me ç’rast zyrtarët policorë kanë përdorur armën zyrtare në përputhje me autorizimet ligjore.

Si rezultat i ndërhyrjes, është arrestuar një person dhe është ndaluar një automjet i tipit “VW Sharan”, në të cilin janë gjetur pije alkoolike dhe joalkoolike pa dokumentacion përcjellës, që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia në Republikën e Kosovës.

“Nga incidenti nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente të hetimeve dhe forenzikës, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme në vend. /Lajmi.net/