Policia nis hetimet pas dëmtimit të vagonëve të “Trainkos” në Hanin e Elezit

Policia e Kosovës ka konfirmuar nisjen e hetimeve pas dëmtimit të vagonëve të sapo-riparuar të trenit të “Trainkos”, të cilët u gjetën të ngjyrosur dhe të dëmtuar këtë të shtunë në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit. “Me datë 15.11.2025, rreth orës 09:15, përgjegjësi i Infrakos-it ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë shkruar…

Lajme

15/11/2025 19:14

Policia e Kosovës ka konfirmuar nisjen e hetimeve pas dëmtimit të vagonëve të sapo-riparuar të trenit të “Trainkos”, të cilët u gjetën të ngjyrosur dhe të dëmtuar këtë të shtunë në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit.

“Me datë 15.11.2025, rreth orës 09:15, përgjegjësi i Infrakos-it ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë shkruar grafite në dy vagona të udhëtarëve, të cilët ndodhen në stacionin e Trenit në Han të Elezit që nga dhjetori 2024 dhe janë pronë e kompanisë TRAINKOS. Është kontaktuar prokurori i shtetit dhe rasti është cilësuar si ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’. Hetimet po kryhen nga Njësia e Hetimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli për lajmi.net.

Ndërkaq, ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës “Trainkos” ka reaguar duke kërkuar nga organet kompetente një hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve.

Sipas njoftimit të tyre, dëmet që nga fillimi i projektit në vitin 2019 tejkalojnë 10 milionë euro, duke përfshirë humbje të klientelës dhe të imazhit, si dhe zhvendosje të konsiderueshme të klientëve nga transporti hekurudhor në rrugor.

“Këto pasoja do të ndihen për një periudhë të gjatë dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë vite. Ky akt vandal është dëm i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe përpjekjeve tona për modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve të transportit hekurudhor”, theksohet në reagimin e “Trainkos” në rrjetet sociale./lajmi.net/