Policia në Mitrovicë nis fushatë kundër dhunës në familje: Ta ndalojmë së bashku
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut ka nisur një fushatë vetëdijësuese kundër dhunës në familje, me moton “Ta ndalojmë së bashku”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e parandalimit dhe raportimit të rasteve të dhunës. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, fushata po zhvillohet në të gjitha komunat që mbulohen…
Lajme
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut ka nisur një fushatë vetëdijësuese kundër dhunës në familje, me moton “Ta ndalojmë së bashku”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e parandalimit dhe raportimit të rasteve të dhunës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, fushata po zhvillohet në të gjitha komunat që mbulohen nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Jugut, ku zyrtarët policorë po shpërndajnë fletushka informuese dhe po komunikojnë drejtpërdrejt me qytetarët për format e dhunës në familje dhe mënyrat e raportimit të saj.
Materialet informuese përmbajnë të dhëna mbi format e ndryshme të dhunës, përfshirë dhunën fizike, psikologjike, emocionale, seksuale dhe ekonomike, si dhe shenjat që mund të tregojnë praninë e saj. Po ashtu, qytetarët informohen për hapat që duhet të ndërmerren për raportimin dhe parandalimin e rasteve.
Policia ka theksuar se përmes kësaj fushate synon të dërgojë mesazhin se dhuna në familje nuk është çështje private, por një vepër penale që ndëshkohet me ligj dhe që kërkon reagim të menjëhershëm.
Në njoftim rikujtohet se çdo viktimë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje dhe mbështetje nga institucionet përgjegjëse, ndërsa qytetarët ftohen të mos heshtin përballë dhunës.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo rast të dhunës në familje ta raportojnë përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, duke theksuar se reagimi i shpejtë mund të parandalojë pasoja të rënda dhe të shpëtojë jetë. /Lajmi.net/