Policia maqedonase ka arrestuar një të dyshuar për sulmin në Goshincë (Video)

Policia e Maqedonisë tha se kishte arrestuar një të dyshuar në lidhje me sulmin e raportuar nga ata mbi një postë policore kufitare.

Lajme

28/04/2015 15:07

I dyshuari 55 vjeçar nga fshati kufitar i Brestit u gjet në posedim armësh zjarri dhe uniformash ushtarake, gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë fundjavës.

Policia tha se kishin gjetur dy pushkë automatike, dy armë snajperi, 10 pistoleta, municion si dhe uniforma paraushtarake në shtëpinë e tij. Ata besojnë se i dyshuari është i lidhur me një grup prej rreth 40 personash që sulmuan postën kufitare në fshatin Goshincë.

“Pas analizës së armëve dhe numrave serikë, është arritur në përfundimin se janë pjesë e armëve të përdorura në sulmin mbi postën policore”, tha të hënën, ministrja e Brendshme Gordana Jankulosvska.

Policia shfaqi një filmim të shtëpisë në Brest ku ata thanë se kishin gjetur sasinë e armatimeve. Gjatë fundjavës, media raportoi se qindra forca speciale të armatosura rëndë mësynë me kontrolle fshatrat kufitarë të Brestit dhe Malinën e Vogël. Helikopterë policie morën pjesë gjithashtu në aksion.

Të martën e shkuar, ata thanë se një grup prej 40 personash të armatosur që kishin veshur simbole të njësisë paraushtarake shqiptare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), kishte sulmuar postën policore natën e mëparshme.

Zëdhënësi i Policisë Ivo Kotevski tha se një “sulm terrorist” kishte ndodhur dhe se sulmuesit të cilët me gjasa ishin nga Kosova, folën shqip dhe morën peng katër policë të postës kufitare, para se t’i lironin më vonë.

Skena e sulmit të pretenduar, fshati Goshincë, pjesë e komunës shqiptare të Likovës, ndodhet 25 kilometra në verilindje të kryeqytetit Shkup, drejt kufirit me Kosovën.

Rajoni ishte në vijën e parë të përplasjeve të armatosura gjatë konfliktit në Maqedoni në vitin 2001, ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.

Konflikti përfundoi me marrëveshjen e Ohrit, e cila u ofroi më shumë të drejta shqiptarëve, të cilët sipas statistikave qeveritare përbëjnë një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionësh. Në përgjigje të marrëveshjes, UÇK u shpërbë dhe krijoi një parti politike, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila aktualisht është pjesë e qeverisë.

Duke komentuar deklaratat se ‘terroristët’ shqiptarë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare kanë sulmuar postën kufitare, kreu i BDI-së Ali Ahmeti të hënën tha vetëm se partia e tij po punon për të gjetur zgjidhje paqësore në të gjitha problemet shtetërore.

“BDI dëshiron të jetë pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit”, tha Ahmeti gjatë një vizite në Kosovë, duke theksuar se shqiptarët në Maqedoni duhet të punojnë brenda Marrëveshjes së Ohrit.

Pas sulmit, disa analistë, politikanë opozitarë dhe komandantë të UÇK-së kanë akuzuar autoritetet se po tentojnë ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga kriza e brendshme shtetërore.

Opozita ka akuzuar kryeministrin Nikola Gruevski se ka orkestruar përgjimin e paligjshëm të mijëra personave.

YouTube player

Ish gjenerali policor i Maqedonisë dehe veteran i luftës së vitit 2001, Stojance Angelov, i cili tani është një aktivist opozitar, ishte ndër të parët, një muaj më parë, që akuzoi autoritetet se po tentojnë të krijojnë konflikt ndëretnik për ta zhvendosur vëmendjen nga situata politike.

“Kam marrë informacione të tilla nga disa njerëz të mirë-informuar të afërt me strukturat e sigurisë shtetërore. Ata më thanë se një grup i madh i kriminelëve me emblema dhe uniforma të UÇK-së janë parë në rajonin e Komanovës dhe Likovës”, kishte thënë Angelov.

Ai shtroi se nga bisedat e tij me ish pjesëtarë të UÇK-së që tani janë të punësuar si policë, ai kishte fituar përshtypjen se nuk ka klimë për përtëritjen e konfliktit. “Kjo vetëm sa mi shtoi dyshimet se dikush ka qëllime të fshehta dhe vetëm po i keqpërdor simbolet e UÇK-së”.

Dyshime shtesë për inkonsistencë në rrëfimin e zyrtarëve ishin ngritur një ditë pas sulmit të dyshuar, kur zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski u citua në gazetën pro-qeveritare ‘Dnevnik’ se grupi prej ’40 terroristëve’ erdhën në Maqedoni nga Kosova dhe më pas u kthyen duke përdorur vetëm “dy vetura në me të cilat transportuan armët dhe uniformat e tyre”.

Disa ditë pas incidentit, Mirsad Ndrecaj, i njohur gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni se ‘Komandant NATO’ mori përgjegjësinë për sulmin në një profil në Facebook që thuhet të jetë i tij, ka informuar gazeta në gjuhën shqipe ‘Koha’.

“Përderisa lidershipi politik (i BDI-së në qeveri) i drejtuar nga Ali Ahmeti lufton për interesat e tyre personale, ne ish komandantët e UÇK-së nuk jemi pajtuar asnjëherë me Marrëveshjen e Ohrit e cila kurrë nuk është implementuar”, citohej të ketë thënë Ndrecaj.

Ai mohoi akuzat nga disa politikanë opozitarë se grupi përgjegjës për sulmin mund të kenë marrë para nga qeveria maqedonase në mënyrë që t’i ngrisin tensionet ndëretnike.