Policia konfiskon dy armë zjarri në Mitrovicë dhe Vushtrri, një person arrestohet
Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar dy armë zjarri në dy raste të ndara brenda 24 orëve të fundit, në Vushtrri dhe Mitrovicë. Në njërin nga rastet është bërë edhe arrestimi i një të dyshuari. Rasti i parë është regjistruar në Vushtrri, ku pas një hetimi lidhur me një incident…

Lajme
Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar dy armë zjarri në dy raste të ndara brenda 24 orëve të fundit, në Vushtrri dhe Mitrovicë. Në njërin nga rastet është bërë edhe arrestimi i një të dyshuari.
Rasti i parë është regjistruar në Vushtrri, ku pas një hetimi lidhur me një incident me elemente të veprës penale “kanosje”, është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit të realizuar ndaj tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë të shkurtër – pistoletë me nëntë fishekë, si dhe një thikë, transmeton lajmi.net
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat:
-
“Kanosje”
-
“Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”
Ndërkohë, në rastin e dytë të ndodhur në Mitrovicë, policia ka konfiskuar një tjetër pistoletë dhe një thikë, pasi një person i dyshuar kishte postuar më herët në rrjetet sociale pamje ku shfaqej duke i poseduar ato. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në këtë rast është hapur hetim për veprën penale:
-
“Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”
Policia e Kosovës ka njoftuar se veprimet e tilla janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për parandalimin dhe luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë publike./lajmi.net/