Policia konfiskon armë dhe thika gjatë kontrolleve në Skenderaj dhe Mitrovicë

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar armë dhe mjete të ftohta gjatë dy rasteve të ndara të evidentuara më 11 qershor 2026 në Skenderaj dhe në rrugën “Adem Voca”. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një pike kontrolli nga njësitë policore të stacionit “Jugu” në Mitrovicë, janë ndaluar dy vetura, ku gjatë…

Lajme

16/06/2026 15:25

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar armë dhe mjete të ftohta gjatë dy rasteve të ndara të evidentuara më 11 qershor 2026 në Skenderaj dhe në rrugën “Adem Voca”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një pike kontrolli nga njësitë policore të stacionit “Jugu” në Mitrovicë, janë ndaluar dy vetura, ku gjatë kontrollit tek dy persona janë gjetur dhe konfiskuar dy thika (flutur), të cilat janë marrë si prova materiale.

Ndërkaq, në Skenderaj, pas informatave për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar, policia ka identifikuar lokacionin dhe me urdhër të prokurorit ka realizuar kontroll në terren. Gjatë bastisjes është gjetur një revole me gaz.

Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionet policore për intervistim dhe, pas procedurave të zhvilluara, me rekomandim të prokurorit kujdestar janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj tyre janë iniciuar raste penale për veprën “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Lajmi.net/