Policia: Kelmendi u arrestua si dëshmitar

Policia e Kosovë ka reaguar ndaj raportimeve për arrestimin Muhamet Kelmendit si të dyshuar për akt terrorist, sipas njoftimit të policisë, Kelmendi është arrestuar si dëshmitar.

Lajme

10/06/2015 16:59

“Njëri ndër të ndaluarit është edhe z. Kelmendi, i cili është shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit në rastin konkret”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit gjatë aksionit në Mitrovicë janë ndaluar në bazë të autorizimit zyrtar pesë persona të cilët janë duke u intervistuar.

“Të njëjtit janë duke u intervistuar për një rast të cilin Policia e Kosovës (PK-ja) është duke e hetuar. Ndërsa informacioni i publikuar në disa media se urdhërdhënësi i arrestimit është Ministri i Punëve të Brendshme nuk qëndron dhe siç është e njohur ligjërisht Policia e Kosovës ndërmerr të gjitha veprimet e saja konform autorizimeve ligjore që ka dhe në koordinim me Prokurorin kompetent, njëjtë siç është vepruar edhe në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më herët ishte raportuar që Muhamet Kelmendi, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte arrestuar si i dyshuar për terrorizëm.