Policia jep detaje për zjarrin në ndërtesën e banimit në Prishtinë, shtatë persona u lënduan

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me zjarrin që përfshiu një ndërtesë banimi në Prishtinë, ngjarje e cila mobilizoi policinë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore për evakuimin e banorëve dhe vënien nën kontroll të flakëve. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, zjarri ka shpërthyer më 27 qershor 2026, rreth orës 07:26, në rrugën “Rrustem Statovci”…

Lajme

28/06/2026 09:58

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me zjarrin që përfshiu një ndërtesë banimi në Prishtinë, ngjarje e cila mobilizoi policinë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore për evakuimin e banorëve dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, zjarri ka shpërthyer më 27 qershor 2026, rreth orës 07:26, në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse, të cilat kanë evakuuar banorët për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, ndërsa zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.

Si pasojë e incidentit, lëndime trupore kanë pësuar shtatë persona, përkatësisht tre banorë të objektit dhe katër zjarrfikës, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor.

Më herët gjatë ditës ishte raportuar se flakët kishin përfshirë katin e sipërm dhe kulmin e ndërtesës, ndërsa tymi i dendur ishte i dukshëm nga zona të ndryshme të kryeqytetit.

Për arsye sigurie, policia kishte rrethuar perimetrin e ndërtesës, derisa ekipet e emergjencës punuan për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit.

Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar dhe ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit. /Lajmi.net/