Policia jep detaje: I dyshuari që vdiq pas plagosjes së dy grave në Fushë Kosovë dyshohet se u vetëplagos
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK, Ejup Govori, ka konfirmuar disa çaste më parë se ka ndërruar jetë i dyshuari për plagosjen e dy grave sot në Fushë Kosovë. Govori ka thënë për lajmi.net se i dyshuari në momentin që është sjell në spital ka pasur ende shenja jete, por që ka qenë në…

Lajme
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK, Ejup Govori, ka konfirmuar disa çaste më parë se ka ndërruar jetë i dyshuari për plagosjen e dy grave sot në Fushë Kosovë.
Govori ka thënë për lajmi.net se i dyshuari në momentin që është sjell në spital ka pasur ende shenja jete, por që ka qenë në gjendje të rëndë pasi që ka qenë i plagosur në bark dhe gjoks, ku si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë.
Për rastin në fjalë ka dhënë detaje edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se mbështetur në informacionet e pranuara në rrugë operative, policia ka lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit dhe menjëherë ka orientuar veprimet e saja taktike-operative në drejtim të arrestimit të të dyshuarit për plagosjen e sotme në Fushë Kosovë.
“Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën ‘Fehmi Lladrovci’ në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet e tyre. Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.
Ajo ka thënë se përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj-zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rasti.
Deri sa hetimet e policisë po vazhdojnë, zëdhënësja e policisë ka bërë të ditur se i dyshuari ishte dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa rreth orës 18:45, Ahmeti ka thënë se policia ka pranuar informatën se personi i dyshuar ka ndërruar jetë. /Lajmi.net/