Të Infektuar: 17.591

Të Shëruar: 14.979

Të Vdekur: 659

Policia i shpall të paligjshme protestat në Kentaki

10:32 | 25 Shtator 2020

Policia amerikane i ka shpallur të paligjshme protestat e zhvilluara në Luisvill, Kentaki, si dhe u ka thënë njerëzve që të shpërndahen, teksa kanë qenë duke protestuar kundër vendimit të një jurie që nuk ka ngritur aktakuza kundër tre zyrtarëve të bardhë policorë, të përfshirë në vrasjen e afrikano-amerikanes, Breonna Taylor.

Juria e përbërë nga një grup qytetarësh në Shtetet e Bashkuara, të cilët sipas ligjit kanë fuqi që të nisin procedura ligjore dhe të hetojnë krime potenciale penale, ka akuzuar të mërkurën vetëm një zyrtar policor të bardhë për të shtënat kundër të ndjerës Taylor.

Në orët e vona të së enjtes zyrtarët policorë kanë marrë këtë vendim, duke thënë se protestuesit kanë qëndruar në rrugë në kundërshtim me rregullën e orës policore që nis në orën 21:00.

Qindra protestuesve u është kërkuar të largohen, apo në të kundërtën ata janë paralajmëruar se autoritetet do të përdorin gaz lotësjellës për t’i shpërndarë ata.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka raportuar se disa protestues janë mbledhur në një kishë dhe kanë bërtitur kundër policisë nga pronat private.

Zëdhënësi i Departamentit të Policisë në Luisvill, Lamont Washington, ka thënë se 24 njerëz janë arrestuar, duke përfshirë një ligjvënës demokrat.

Të arrestuarit janë akuzuar për “grumbullim të paligjshëm, dështim për t’u shpërndarë, dhe rebelim të shkallës së parë”, është cituar të ketë thënë Washington sipas Courier Journal.

Protestat kanë vazhduar për të dytën natë me radhë, pavarësisht orës policore, e cila ka nisur së zbatuari pas vendimit të jurisë së madhe.

Protestat e 23 shtatorit kanë nisur në mënyrë paqësore, mirëpo më vonë është raportuar për dhunë, meqë protestuesit kanë nisur të përleshen me policinë.

Vdekja e 26-vjeçares, Breoona Taylor dhe vdekjet e afrikano-amerikanëve tjerë në duart e policisë, janë kthyer në qendër të protestave që janë zhvilluar për muaj të tërë në SHBA.

Përmes tyre janë kërkuar reforma policore dhe drejtësi mes racave. /REL