Policia hallakatë prokurimin e Ministrisë së Infrastrukturës
Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Pal Lekaj i AAK-së është bërë cak i Policisë së Kosovës.
Lajme
Kompanitë e ndryshme po dyshojnë që zyra e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës po bënë dallavere në dhënien e tenderëve. Mbi këto dyshime, pas realizmit të tenderëve, kompani të ndryshme po dërgojnë lëndët në Polici, ndërsa hetuesia ka shpeshtuar vizitat në zyrën e prokurimit të MI-së.
Mësohet se disa prej tenderëve për të cilët policia po zhvillon hetim janë kontratat: “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e autoudhës A6 ( Arbër Xhaferi)- Segmenti : Konjuh- Doganaj, L-32,82 km”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N 9.1 segmenti Dollc- Gjakovë”, “Asfaltimi i rrugës Babush- Tërn- Luboc- Koshare- Slivovë”, “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Republikës së Kosovës”.
Hetimin për disa tender në MI e ka konfirmuar edhe një burim brenda ministrisë.
“Gati çdo tender dërgohet në polici nga kompanitë që konsiderojnë se po shkelet Ligji i Prokurimit Publik. Pastaj policia po kërkon dokumentacion edhe nga Zyra e prokurimit përkitazi më këto lëndë. Po ashtu, kontraktorët po denoncojnë edhe panelin e OSHP-së, për të cilët thonë se janë të lidhur ngushtë me persona brenda ministrisë”, ka thënë për lajmi.net një burim brenda Ministrisë së Infrastrukturës
Ndërkohë, OSHP-ja,para pak ditësh është ankuar se policia dhe prokuroria, po i bëjnë presion këtij institucioni me intervistime të shpeshta, pas vendimeve që po i merr paneli.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës për hetimet e tenderëve në Ministri të Infrastrukturës, por ky institucion nuk ka dhënë asnjë informacion.
Zyra për informim e Ministrisë së Infrastrukturës nuk e ka mohuar se policia po e viziton kohë pas kohë zyrën e informimit të tyre. Por, nuk ka dashur të tregojë se çfarë dokumentesh ka marrë Policia e Kosovës në zyrën e Prokurimit. Kjo zyrë ka thënë se ministria është e hapur për të gjithë përfshirë edhe policinë për qasjen në dokumente zyrtare.
“Kërkesa për qasje në dokumente zyrtare në të gjitha dikasteret e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit është e drejtë e garantuar për të gjithë. Rrjedhimisht të gjitha departamentet janë të hapura dhe transparente për të gjitha institucionet relevante të interesuara, përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, thuhet në një përgjigje të zyrës së informimit të Ministrisë së Infrastrukturës për lajmi.net. /Lajmi.net/