Policia e Kosovës: Po shpërndahen emaila false kinse thirrje për paraqitje në Gjykatë- jemi duke i hetuar intensivisht këto raste

Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me disa emaila të ndryshëm të cilat po rrjedhin kinse nga institucioni i sigurisë në vend. Policia njoftoi se këto emaile të ndryshme, me informacione të rreme kinse të lëshuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës po vazhdojnë të shpërndahen. Sipas policisë, këto informacione të dërguara…

Lajme

16/12/2025 11:47

Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me disa emaila të ndryshëm të cilat po rrjedhin kinse nga institucioni i sigurisë në vend.

Policia njoftoi se këto emaile të ndryshme, me informacione të rreme kinse të lëshuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës po vazhdojnë të shpërndahen.

Sipas policisë, këto informacione të dërguara kinse nga zyrtarë të lartë të policisë, janë false e po përdoren për qëllime të caktuara.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës (PK), njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovs, andaj sqaron se:

Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme./Lajmi.net/