Policia e Kosovës parandalon një kontrabandim me mallra afër kufirit me Serbinë

Policia e Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar operacionet policore dhe kontrollet taktike në terren përgjatë brezit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Sipas njoftimit të Policisë thuher se dje në orët e mbrëmjes njësitë policore…

Lajme

24/06/2025 15:37

Policia e Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar operacionet policore dhe kontrollet taktike në terren përgjatë brezit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të Policisë thuher se dje në orët e mbrëmjes njësitë policore gjatë veprimeve vëzhguese, kanë identifikuar një traktor me rimorkio të improvizuar, duke hyrë ilegalisht nga fshati Tërrnocë – Bujanoc, në drejtim të fshatit Hodonoc – Kamenicë, ku gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, pronë e N. P, është gjetur rimorkioja e improvizuar, e cila sipas të dhënave rezulton të jetë pronë e të dyshuarit L. I, banues në Hodonoc.

Po ashtu në praninë e të dyshuarit, gjatë kontrollit është konstatuar se rimorkioja ishte e ngarkuar me mallra – konkretisht drunj dekorativë. Mallrat e kontrabanduara ishin të destinuara për qytetarë të ndryshëm brenda territorit të Kosovës dhe ishin të pajisura me etiketa të përgatitura për shpërndarje përmes postës vendore.

Sipas të dhënave të siguruara, sasia e mallrave përbëhej nga rreth 220 drunj dekorativë, me një vlerë të përgjithshme rreth 7 mijë euro, pa përfshirë shmangiet doganore që rezultojnë nga kontrabanda.

Tutje bëhet e ditur se lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me urdhër të të cilëve rimorkioja së bashku me mallin është sekuestruar dhe është dërguar në terminalin doganor, për procedura të mëtejshme ligjore.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente, do të vazhdojë angazhimet e saja në parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale”, theksohet në njoftim. /Lajmi.net/