Policia e Kosovës mban takim gjithëpërfshirës për zbatimin e planit operativ të zgjedhjeve lokale 2025
Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është mbajtur një takim zyrtar gjithëpërfshirës për zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës”. Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, menaxhmenti i lartë…

Lajme
Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është mbajtur një takim zyrtar gjithëpërfshirës për zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës”.
Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, menaxhmenti i lartë dhe drejtorët e departamenteve të PK-së, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), KFOR-in, EULEX-in, OSBE-në dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, transmeton lajmi.net.
Gjatë takimit u prezantuan planifikimet dhe vlerësimet për angazhimin policor në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe bashkërendimi i aktiviteteve të përbashkëta sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe masat për të siguruar një atmosferë të qetë dhe të sigurt që garanton të drejtën e votës për të gjithë qytetarët. U theksua se çdo vepër penale që cenon të drejtën e votimit do të ndiqet dhe procedohet në përputhje me ligjin, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Policia e Kosovës ritheksoi përkushtimin e saj për të vepruar në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme gjatë gjithë procesit zgjedhor. Qytetarët u inkurajuan të bashkëpunojnë me institucionet kompetente dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me zgjedhjet apo çështje të tjera të sigurisë përmes linjës telefonike 192, adresës elektronike [email protected] apo në stacionin më të afërt policor.
Komunikata e plotë:
Takim zyrtar gjithëpërfshirës lidhur me zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës”
Prishtinë, më 10 tetor 2025
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur me planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale 2025”, të cilat do të mbahen me datën 12 tetor 2025.
Në këtë takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja, zyra e BE-së në Kosovë etj.
Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Ndër të tjera pjesë e diskutimit ishte krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët, si edhe inicimi e procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore./lajmi.net/