Policia e Kosovës konfiskon mbi 800 armë në gjashtë muajt e parë të vitit: Apel për shmangien e armëve në festa

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka konfiskuar 849 armë zjarri të llojeve të ndryshme, si dhe 16,198 copë municion të kalibrave të ndryshëm, duke shënuar një rritje prej 12% në konfiskimin e armëve dhe 3.37% në konfiskimin e municionit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.…

Lajme

23/07/2025 14:39

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka konfiskuar 849 armë zjarri të llojeve të ndryshme, si dhe 16,198 copë municion të kalibrave të ndryshëm, duke shënuar një rritje prej 12% në konfiskimin e armëve dhe 3.37% në konfiskimin e municionit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Në njoftim thuhet se këto konfiskime janë rezultat i operacioneve të vazhdueshme policore për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur fluksi i qytetarëve dhe numri i ceremonive festive rritet ndjeshëm.

Në 24 orët e fundit, janë evidentuar disa raste të përdorimit dhe posedimit të paligjshëm të armëve në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Lipjanin, Podujevën, Klinën, Gjakovën, Mitrovicën e Jugut dhe Pejën. Në tetë raste të ndara janë konfiskuar:

  • 1 armë e gjatë AK-47

  • 7 armë të shkurtra

  • 1 pushkë ajrore

  • 9 karikatorë

  • rreth 300 fishekë të kalibrave të ndryshëm

Gjithashtu, katër persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të festojnë në mënyrë të qetë dhe të shmangin përdorimin e armëve, sidomos në ceremoni festive, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të përballet me masa ligjore. Si pjesë e masave preventive, janë ndërmarrë fushata vetëdijesuese dhe janë shpërndarë broshura me qëllim sensibilizimin e opinionit publik për pasojat e përdorimit të armëve.

“Festoni me dinjitet dhe maturi. Përdorimi i armëve është vepër penale dhe do të trajtohet si i tillë,” thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës.

Komunikata e plotë: 

FESTONI ME DINJITET DHE MATURI, ARMËT JANË RREZIK PËR JUVE DHE PËR SHOQËRINË

Prishtinë, 23 korrik 2025

Policia e Kosovës, si organ i zbatimit të ligjit, çdo herë kujdeset që të mbrojë jetën e qytetarëve, të ruajë rendin dhe sigurinë publike si dhe të parandalojë veprimtaritë e ndryshme kriminale.

Në kuadër të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore, duke pasur parasysh tani edhe fluksin e shtuar të qytetarëve dhe numrin e madh të ceremonive festive, ahengjeve në këtë pjesë të vitit, Policia e Kosovës, si masë preventive, ka realizuar fushata të ndryshme dhe po ashtu ka shpërndarë broshura vetëdijesuese, që të festohet në mënyrë të qetë, pa incidente e pa përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe të armëve.

Posedimi dhe përdorimi i mjeteve të rrezikshme, armëve, është veprimtari e kundërligjshme, andaj Policia e Kosovës vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në operacione të ndryshme të ndërmarra, ka konfiskuar 849 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024, është shënuar një ngritje për 12%, si dhe janë konfiskuar 16,198 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024 është shënuar një ngritje për 3.37%.

Po ashtu raste të përdorimit dhe posedimit të armëve janë evidentuar edhe në 24 orëshin e fundit, e që kanë përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Lipjanin, Podujevën, Klinën, Gjakovën, Mitrovicën e Jugut dhe Pejën, ku në tetë raste të ndara janë konfiskuar: 1 armë e gjatë AK-47, 7 armë të shkurtra, 1 pushkë ajrore, 9 karikatorë dhe rreth 300 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa katër persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës, apelon tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të shmangun përdorimin dhe posedimin e armëve të zjarrit në përgjithësi, e në veçanti në ceremoni festive, të festojnë me dinjitet dhe maturi, në të kundërtën do të përballen me ligjin./lajmi.net/