Policia e Kosovës identifikon një lokacion të mbjellë me bimë narkotike si dhe parandalon kontrabandimin me mallra

Policia e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve intensive, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të kundërligjshme kriminale, e në veçanti atë të trafikimit me narkotikë dhe të kontrabandimit me mallra, nën zbatim edhe të planeve operacionale, ka intensifikuar kontrollet në terren, të cilat kanë rezultuar me identifikimin e një lokacioni ku po kultivoheshin…

Lajme

13/09/2024 15:46

Policia e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve intensive, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të kundërligjshme kriminale, e në veçanti atë të trafikimit me narkotikë dhe të kontrabandimit me mallra, nën zbatim edhe planeve operacionale, ka intensifikuar kontrollet në terren, të cilat kanë rezultuar me identifikimin e një lokacioni ku po kultivoheshin bimë narkotike si dhe parandalimin e kontrabandimit të mallrave. 

 

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se sot me datën 13.09.2024, njësitet e Policisë Kufitare nga DRPK “Perëndimi” në Gjakovë, gjatë implementimit të një plani operativ, pas një pune operative dhe hetimore në një zonë të thellë malore, konkretisht në brezin kufitare me Shqipërinë, ka lokalizuar vendin ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike.  

 “Njësitet e Specializuara Kufitare, së bashku edhe njësinë e Antidrogës në Gjakovë, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar dhe në vendin e ngjarjes i kanë gjetur dy parcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë të dyshuara narkotike (kanabis sativa) me gjatësi 1 deri ne 2 m”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës po ashtu ka komunikuar edhe me Policinë e Shqipërisë dhe në koordinim me të njëjtit është bërë sigurimi i perimetrit të jashtëm të zonës në vijën kufitare Kosovë/Shqipëri nga ajri dhe nga toka. 

 Ndërkaq të gjitha veprimet lidhur me rastin janë kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku është iniciuar rasti “Kultivim i bimëve narkotike”, dhe është bërë asgjësimi i bimëve narkotike në vendin e ngjarjes. 

Në lidhje me rastin e dytë Policia ka njoftuar se dje gjatë ditës gjatë vëzhgimit të brezit kufitar të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në fshatin Stublinë zyrtarët policorë kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitar Dobrosin-Stublinë. 

Nga njësitet e angazhuara policore në fshatin Dobrosin-Stublinë shtë ndaluar automjeti i dyshuar me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte e dyshuara femër me shtetësi serbe, si dhe një pasagjer. 

 Bëhet e ditur se gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme në sasi të mëdha, përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike. 

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse policore sipas procedurave të parapara, si dhe me urdhër të prokurorit kompetent personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i konfiskuar është dërguar në terminalin doganor për vlerësim nga ana e Doganës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

 Rast i ngjashëm me kontabandim të mallrave ka ndodhur dhe sot ku gjatë vëzhgimit në brezin kufitar të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në rrugën Stublinë-Doberqan, zyrtarët policorë, pasi kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në një rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitare Dobrosin-Stublinë, ku në hyrje të fshatit Dobërqan kanë ndaluar dy vetura me targa të huaja, të cilat po drejtoheshin nga dy të dyshuarit meshkuj shtetas kosovarë. 

 “Gjatë kontrollit të automjeteve të ndaluara, janë gjetur të ngarkuara mallra/pjesë të ndryshme (të përdorura) të automjeteve, pajisje bujqësore dhe mjete tjera pune”, thuhet në njoftim.

 Ndërsa lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit kompetent, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli dhe automjetet e sekuestruara janë dorëzuar në terminalin doganor për numërim, vlerësim dhe procedim nga ana e Doganës së Kosovës.  /Lajmi.net/