Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Listës Serbe se rrahu një serb, IPK-ja heton rastin
Togeri i Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, i ka hedhur poshtë akuzat e Listës Serbe se pjesëtarë të policisë kanë përdorur dhunë ndaj një qytetari serb në veri të vendit, por tha se tashmë këto pretendime po hetohen nga IPK-ja. Pretendimet e një qytetari serb nga veriu i Kosovës, i identifikuar në disa raportime si Nenad…
Lajme
Togeri i Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, i ka hedhur poshtë akuzat e Listës Serbe se pjesëtarë të policisë kanë përdorur dhunë ndaj një qytetari serb në veri të vendit, por tha se tashmë këto pretendime po hetohen nga IPK-ja.
Pretendimet e një qytetari serb nga veriu i Kosovës, i identifikuar në disa raportime si Nenad Raskoviq, se është sulmuar dhe keqtrajtuar fizikisht nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë publikuar në media në Beograd dhe në rrjete sociale të eksponentëve politikë serbë. Për rastin ka reaguar edhe Lista Serbe, duke pretenduar se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë përdorur dhunë ndaj qytetarit serb.
Baliqi, në një prononcim për KosovaPress tha se Policia nuk ka ndonjë informacion në lidhje me pretendimet e personit në fjalë apo edhe të Listës Serbe.
“Ajo çfarë mund të themi në lidhje me pretendimet e personit apo personave në fjalë është se policia nuk ka një informacion të tillë. Nuk e kemi ndonjë informacion se është përdorur forca ndaj ndonjë personi. Megjithatë, mbrëmë rreth orës 21:00 e kemi pranuar një informacion se një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Megjithatë, njësitet tona relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në momentin kur kanë dalë në media dhe kur ka pretenduar se është rrahur nga policia, gjithmonë sipas pretendimit të tij, ne menjëherë e kemi thirrë Inspektoratin Policor dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin. Inspektorati Policor i Kosovës do të zhvillojë hetime në lidhje me pretendimet e palës”,tha Baliqi për KosovaPress.
Tutje, ai konfirmoi se policia ka vepruar në pjesën veriore të vendit mbrëmë, pasi tha se policia në vazhdmësi pranon informacione se në lokacione të ndryshme mund të gjenden armë.
“Ne kemi operuar në atë pjesë, mirëpo sa i përket pretendimeve të tij se kanë qenë policia ata që e kanë rrahur, ne nuk kemi informacion se policia ka përdorur forcë tek ndonjë person i mundshëm aty. Siç kemi thënë, policia pranon në vazhdimësi informacione se në lokacione të ndryshme mund të gjendet armatim dhe ne nuk i neglizhojmë ato informacione dhe jemi të obliguar t’i verifikojmë ato informacione”, tha Baliqi për KosovaPress.
Në ditët e fundit, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione në rajonin e Zubin Potokut, gjatë të cilave, sipas të dhënave të bëra publike, janë gjetur dhe sekuestruar armë në lokacione të ndryshme.
Sipas mediave serbe, Raskoviqit ka pretenduar se policia i ka kërkuar një armë pa të drejtë, ndërkohë që kontrollet policore janë kryer mbi bazën e informacioneve për armë të mundshme të fshehura.
Po ashtu, është pretenduar se informacionet për posedim të armëve kanë ekzistuar edhe në rastin e Raskoviqit dhe se dyshohej për posedim të armëve të padeklaruara që nga periudha e luftës. Pretendime të tjera, të cilat nuk janë konfirmuar zyrtarisht, e lidhin këtë çështje edhe me dyshime për armë që mund të kenë lidhje me krimet e luftës të kryera në rajon.
Këto pretendime vijnë në kohën kur në zonën e Kalludrës në Zubin Potok janë zhvilluar gërmime në kuadër të kërkimeve për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës së viteve 1998–1999, e dyshohet për varrezë masive.
Ditët e fundit Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione në rajonin e Zubin Potokut, përfshirë kontrolle dhe veprime të lidhura me informacione për armë të mundshme të fshehura në zona të ndryshme.
Në këtë kontekst, pretendimet për rastin e Raskoviqit janë lidhur në disa deklarime publike edhe me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri dhe me operacionet policore në këtë pjesë të vendit.
Megjithatë, nuk ka një konstatim zyrtar që konfirmon ose rrëzon pretendimin se ndaj qytetarit është përdorur dhunë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Hetimet e Inspektoratit Policor pritet të sqarojnë rrethanat e rastit dhe nëse gjatë operacionit policor është përdorur forcë ndaj personit në fjalë.
Policia e Kosovës mohon akuzat e Listës Serbe se rrahu një serb, IPK-ja heton rastin