Policia e Kosovës ekstradon dy persona të kërkuar nga Zvicra dhe Shqipëria, përfundojnë në duart e drejtësisë pas bashkëpunimit ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka realizuar me sukses ekstradimin e dy personave të kërkuar ndërkombëtarisht, njërit nga Zvicra dhe tjetrit nga Shqipëria, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet e dy shteteve dhe institucionet vendore të drejtësisë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante…
Lajme
Policia e Kosovës ka realizuar me sukses ekstradimin e dy personave të kërkuar ndërkombëtarisht, njërit nga Zvicra dhe tjetrit nga Shqipëria, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet e dy shteteve dhe institucionet vendore të drejtësisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, duke mundësuar kthimin e dy të kërkuarve në Kosovë për t’u përballur me procedurat ligjore, transmeton lajmi.net.
Personi i parë ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi kërkohej nga Kosova përmes një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nëpërmjet INTERPOL-it për veprën penale “grabitje”. Sipas Policisë, ai kishte arritur t’i shmangej drejtësisë, ndërsa ekstradimi i tij u realizua në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Zvicrës.
Pas mbërritjes në Kosovë, i ekstraduari iu dorëzua njësive kompetente të Policisë në rajonin e Gjilanit, të cilat do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, personi i dytë ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në pikën kufitare të Vërmicës. Edhe ai kërkohej nga institucionet e Kosovës përmes INTERPOL-it, kësaj radhe për veprën penale “arratisja nga institucioni”.
Policia bëri të ditur se i dyshuari kishte qenë i privuar më herët nga liria me vendim të ligjshëm, pasi ishte dënuar për dhënie ndihme në një rast të veprës penale “vrasje e rëndë”, por ishte arratisur nga institucioni korrektues.
Pas ekstradimit në Kosovë, ai iu dorëzua njësive policore të rajonit të Pejës për vazhdimin e procedurave të parapara me ligj.
Policia e Kosovës ka theksuar se këto ekstradime dëshmojnë bashkëpunimin e suksesshëm ndërkombëtar në luftimin e kriminalitetit dhe në sjelljen para drejtësisë të personave që përpiqen t’i shmangen organeve të drejtësisë. /Lajmi.net/